Ka ndodhur

Policia e ndalon për masat anti-Covid, 21-vjeçarit i gjendet hashash

Policia e Durrësit ka ndaluar një 21-vjeçar për masat anti-Covid, por i ka gjetur hashash në makinë.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në zbatim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në Sukth, Durrës, kanë ndaluar për verifikim mjetin me drejtues shtetasin I. D., të cilit i kanë kërkuar lejen e lëvizjes dhe më pas kanë ushtruar kontroll fizik në mjet për sende të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi I. D, 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në vitin 2018, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Gjatë kontrollit në mjetin tip “Benz”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një sasi lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë