Shqipëria ka fituar 2-1 vëllazëroren me Kosovën në “Elbasan Arena”, me golat e Balajt dhe Uzunit, ndërsa Vedat Muriqi shkurtoi me penallti 5 minuta para fundit. Përtej rezultatit, kjo miqësore u ka shërbyer dy stafeve teknike para dy ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve. Kosovën e drejtoi ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti, pasi Shaland ka dalë pozitiv me Covid-19.
Me vetëm një himn të ekzekutuar para ndeshjes dhe me foton e zakonshme të futbollistëve të të dyja skuadrave së bashku ka nisur kjo miqësore, ku trajneri Edi Reja u ka dhënë shansin e debutimit si titullarë tre futbollistëve të rinj, Dokës, Çepeles dhe Hoxhallarit, ku dy të parët luajtën 90 minuta dhe u paraqitën mirë. Debutimi i katërt me fanellën kuqezi ishte ai i Ismailgecit, i aktivizuar në pjesën e dytë.
Loja ishte vërtet miqësore, me disa fragmente interesante, siç ishte ai i minutës së 31-të, kur Balaj devijoi në rrjetë një pasim të saktë të Uzunit nga e majta. Në pjesën e dytë ishte sulmuesi beratas që shënoi golin e dytë, pas një asisti të Selahit, para se ky i fundit të linte fushën. Vedat Muriqi i “vodhi” me dinakëri një penallti Çepeles në fundin e ndeshjes dhe nga pika e bardhë mposhti portierin Hoxha.
Trajnerët Reja dhe Sahiti kanë bërë nga 6 ndërrime në këtë ndeshje testuese. Të vetmit që nuk u zëvendësuan te kuqezinjtë ishin Doka, Çepele, Ismajli, Ramadani dhe Laçi. Minuta në pjesën e dytë pati për Hysajn, Manajn, Hoxhën, Veselin, Kallakun dhe Ismailgecin. Ishte një ndeshje pozitive, veçanërisht për Dokën, Çepelen dhe Uzunin, lojtarë që premtojnë të jenë protagonistë me Kombëtaren. Tani e gjithë vëmendja kalon te sfida me Kazakistanin, që luhet më 15 nëntor në “Air Albani Stadium”.

Shqipëri-Kosovë 2-1
Shënues: Balaj 31’, Uzuni 64’/ Muriqi 85’ (penallti)
Shqipëria: E.Berisha (Hoxha 46’), Doka, Ismajli, Çepele, Hoxhallari (Veseli 46’), Laçi, Selahi (Kallaku 65’), Ramadani, Uzuni (Ismailgeci 85’), Balaj (Hysaj 46’), Seferi (Manaj 46’). Traajner: E.Reja
Kosova: Muriç, Hadergjonaj (Daku 84’), Rrahmani, Fazliji, Aliti (Vojvoda 84’), Kastrati (Zhegrova 46’), Shala, Kryeziu (Rashkaj 46’), B.Berisha (Rashani 46’), Celina (Hasani 46’), Muriqi. Trajner: M.Sahiti
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




