Ka ndodhur

Covid-19 mbyll për dy javë Gjykatën e Tiranës

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, ku ditët e fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve të reja, Gjykata e Tiranës njoftoi sot pezullimin e punës.

Në vendimin e firmosur nga kryetari i Këshillit, Petrit Çomo, thuhet se pezullimi do të nisë nga dita e premte, 13 nëntor, për dy javët në vijim. Pra, Gjykata do të jetë e mbyllur deri më 27 nëntor.

Në shkresë theksohet se përjashtim nga ky vendim do të kenë vetëm çështjet e karakterit urgjent.

“Për marrjen e masave kundër Covid-19 dhe zbatimin e protokollit të sigurisë  sipas Rregullores ‘Për përcaktimin e masave për kufizimin e përhapjes së Covid-19, gjate ushtrimit të veprimtarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë’, miratuar  me vendimin nr 47\4 datë 24.04.2020, ‘Mbi përcaktimin e rregullave dhe praktikave të duhura  për kufizimin e përhapjes  së infeksionit Covid-19, gjatë zhvillimit të veprimtarisë në Gjykatën e Rrethit  Gjyqësor Tiranë’, si dhe në funksion të reduktimit të infeksionit”, thuhet në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë