Etrit Berisha do të mbajë shiritin e kapitenit, të paktën në ndeshjen miqësore me Kosovën, apo vëllazëroren si quhet tashmë. Ai ka pohuar në konferencë shtypi se Shqipëria dhe Kosova së bashku do të bënin një skuadër super, që do ta kishte frikë gjithë Europa.
“Kanë ardhur gjithë lojtarët, gjithë ekipi është këtu. Ndeshja me Kosovën do të jetë e vlefshme, pak e vështirë, sepse më pas kemi dy ndeshje me shumë rëndësi dhe fokusi ynë do të jetë aty. Kemi një nga mbrojtjet më të mira. Janë çuna të rinj dhe do të përmirësohen më shumë me kalimin e ndeshjeve. Kemi pësuar vetëm një gol, që ishte një fatkeqësi. Jo vetëm mbrojtja, por gjithë ekipi ka bërë mirë në fazën difensive.
Nuk është e lehtë, por duke qenë një vëllazërore, gjërat janë më të qeta. Në një ndeshje kualifikuese do të ishte shumë e vështirë. E ndjej që është vendi im edhe Kosova edhe Shqipëria, dua të përfaqësoj gjithë shqiptarët dhe shpresoj që të bëhemi një ekip. Nëse ndodh, do të bëhemi një ekip super, që do ta kishte frikë gjithë Europa.
Ndoshta bëhet në një moment tjetër dhe tani duhet të shohim këto ndeshje, ta luajmë si vëllazërore. Kosova luan shumë mirë, ka individë, që duan ta kenë topin, kanë dëshirë të luajnë futboll. Nuk duhet të përqendrohemi tek individët, por të gjithë ekipi”, – tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




