Ka ndodhur

Drogë, armë e municione, arrestohen dy të rinj në Kukës

Policia e Kukësit ka finalizuar operacionin e koduar “Eagle”, duke arrestuar dy persona.

Policia thotë se gjatë aksionit ka sekuestruar 2 armë zjarri, municion luftarak dhe 875 gramë kanabis.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit A. E., 24 vjeç dhe M. M., 33 vjeç, banues në Kukës.

“Në qytetin e Kukësit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. E. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri tip kallashnikov, 3 karikator, 81 fishekë dhe 350 gramë lëndë narkotike kanabis”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. E. ia ka blerë lëndën narkotike shtetasit M. M.

Policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Gabrice, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë, 19 fishekë, 525 gr. lëndë të dyshuar cannabis sativa, si dhe një sasi parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë