Ekonomi

Vala e dytë Covid, BE nuk e merr dot veten para 2023

Vala e dytë e koronavirusit që ka prekur në seri vendet e Bashkimit Europian kanë detyruar Komisionin që të rishikojë me përkeqësim parashikimet për rritjen ekonomike, duke deklaruar se prodhimi i brendshëm bruto i unionit do të rikthehet në parametrat e para pandemisë vetëm në vitin 2023.

Komisioni Europian ka publikuar raportin e parashikimit ekonomik “Vjeshtë 2020”. Që në fillim ekspertët hartues të tij thonë se pasiguria e shkaktuar nga infeksioni e bën detyrën e tyre një mision edhe më të vështirë. Por, duke u nisur nga efektet negative të prodhuara deri më tani dhe parashikimet e zymta se kur ajo mund të vihet nën kontroll, BE nuk flet për rikthim të normalitetit ekonomik para vitit 2023.

“Shpërthimi i pandemisë në javët e fundit ka detyruar vende të ndryshme që të ndërmarrin masa për frenimin e saj. Kjo do të thotë se situata epidemiologjike shkakton një pasiguri dhe rrezik të lartë që parashikimet ekonomike të dështojnë”, thuhet në raport.

Gjithsesi, Komisioni parashikon që ekonomia e Eurozonës të tkurret me 7.8 për qind në 2020 dhe të rikthehet në terren pozitiv në 2021, duke u rritur me 4.2 për qind dhe me 3 për qind në 2022. Rënia parashikohet më e zbutur për ekonominë e Bashkimit Europian, duke përfshirë këtu edhe vendet anëtare të unionit, por jo të monedhës së përbashkët.

Shifrat sugjerojnë një rënie prej 7.4 për qind në 2020 dhe një rritje me 4.1 për qind në 2021. Për 2022 rritja parashikohet po 3 për qind. Duke u krahasuar me raportin parashikues të verës, rritja ekonomike si për eurozonën, ashtu edhe për BE-në rishikohet me trend pozitiv për dy vitet e ardhshme. Komisioni parashikon gjithashtu që prodhimi të rikthehet në shifrat e para pandemisë në vitin 2022.

Problemi më i madh me të cilën do të duhet të përballen vendet anëtare të BE-së në tre vitet e ardhshme është papunësia. Komisioni thotë se për shkak të pandemisë ajo është rritur në nivele shqetësuese në të gjitha vendet anëtare dhe parashikimet nuk janë pozitive për këtë sektor.

Komisioni thotë se papunësia pritet që të rritet edhe në 2021, teksa vendet përpiqen që të zbusin efektet e pandemisë në këtë sektor me masa emergjence. Megjithatë, parashikon që në 2022 situata të përmirësohet teksa ekonomia pritet që të nisë rimëkëmbjen.

“Parashikimet projektojnë se papunësia në eurozonë do të rritet në 8.3 për qind në eurozonë dhe në 2021 do të shkojë 9.4 për qind, përpara se të ulet në 8.9 për qind në 2022. Në BE, papunësia do të rritet nga 7.7 për qind për 2020, në 8.6 për qind në 2021, para se të zbresë në 8 për qind në 2022”, thekson raporti.

Komisioni parashikon rritje domethënëse të deficiteve dhe të borxhit publik të vendeve anëtare.

“Parashikimet projektojnë që deficiti në eurozonë të rritet në 8.8 për qind për 2020, para se të ulet në 6.4 për qind në 2021 dhe 4.7 për qind në 2020. Kjo do të thotë se në 2022, borxhi publik i eurozonës pritet që të shkojë deri në 102.6 për qind të GDP-së”, vlerësohet në raport.

Komisioni parashikon edhe nivele të ulta inflacioni, që do të kenë ndikim negativ në aktivitetin ekonomik dhe konsumator. KE nuk parashikon që në 2022, nivelet e inflacionit të shkojnë përtej 1.5 përqindëshit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë