Kombetarja

Reja: Synojmë vendin e parë në grup, skemën e lojës mund ta ndryshoj

Edhe pse lista zyrtare është shpallur, situata për trajnerin Edi Reja është e paqartë para 3 ndeshjeve të nëntorit, sepse ai i druhet faktit se do të ketë shumë mungesa. Disa klube mund të mos i lejojnë lojtarët të shkojnë në Kombëtare, pasi e kanë këtë të drejtë, ndaj dhe trajneri llogaritë do t’i bëjë më mirë pas së martës. Në konferencë për shtyp ai theksoi se Kazakistani dhe Bjellorusia janë dy ndeshje shumë të rëndësishme që duhen fituar.

Trajneri Reja në konferencë shtypi. Gazeta Si, 7 nëntor 2020

“Kemi probleme, ashtu si herën e fundit. Strakosha, Dermaku, Mihaj, Roshi, Mersinaj, Lenjani, Bare, Çekiçi kanë probleme, Trashi nuk e dimë a vjen, Vrioni ka probleme fizike. Të shohim, sepse disa lojtarë kanë ndeshje me klubet e tyre, që nuk duan t’i lënë të vijnë në Kombëtare. Po ashtu, disa shtete kanë rregulla të forta. Gjasula luan të hënën dhe të martën do të shohim, nëse do të lejohet të vijë. Kam folur me klubet italiane, edhe federata ka folur, sepse kemi tri ndeshje të rëndësishme. Duam t’i kemi të gjithë lojtarët gati, por kam dyshime të mëdha. Shumë lojtarë, sidomos ata që luajnë në Itali, mund t’i mbajnë klubet, ndaj dhe jam shumë i shqetësuar për situatën.

Objektivi për dy ndeshjet e fundit në grup është të marrim 2 fitore. Vendi i parë në grup është objektivi ynë dhe do të japim maksimumin ta arrijmë. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira dhe jo të mira, duhej t’i fitonim disa duele, duhet dhënë 110% për të arritur objektivin. Ndeshjet pa tifozë nuk janë ndeshje natyrale futbolli, do të ishim komodë me tifozët tanë në stadium, por tani nuk kemi çfarë të bëjmë. Në ndeshjet e fundit kemi bërë disa prova. Brojës i kemi dhënë mundësinë të luajë dhe ka bërë shumë mirë, kemi provuar edhe Kallakun. Ndeshja miqësore do na ndihmojë të shohin gjendjen.

Kosova? Është një moment tjetër nga ai i ndeshjes së fundit. Kosova është një ndeshje e veçantë dhe nuk e marr në konsideratë atë që ka ndodhur me Panuçin. Vëmendja ime është te dy ndeshjet zyrtare me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Nuk mund të them se nuk na intereson ndeshja me Kosovën, duam të paraqitemi sa më mirë dhe të fitojmë, sepse në fushë shkohet për fitore. Dua të shoh të gjithë lojtarët pas situatës me dëmtimet dhe Covid-in, kjo është detyra ime. E shoh realitetin në sy, siç është situata që po kalojmë. Projekti ynë është për të ardhmen. Kushdo që të luajë, do të japë më të mirën, jam i bindur”, – tha mes të tjerash trajneri Reja.

Trajneri Reja në mes të lojtarëve, duke dhënë udhëzime. Gazeta Si, 7 nëntor 2020

Skema e lojës
Pastaj, trajneri italian ka pohuar se mund të ndryshojë skemën e lojës, por llogaritë më mirë do t’i bëjë të martën, pasi të ketë parë grupin e lojtarëve. “Po, mund të ndryshojmë edhe skemën, sepse loja bëhet në bazë të lojtarëve që janë në dispozicion. Llogaritë më mirë do t’i bëj të martën, sepse do të shohim cilët lojtarët do të kemi gati. Gjimshiti, Veseli, Hysaj, Ismajli dhe Gjasula duhet të vijnë, por të shohim. Mund të luajmë me skemën 4-3-1-2, është gjithmonë ai diskutimi i skemës, që ju flisni gjithmonë. Por duhet të them se skemën e bëjnë lojtarët dhe jo trajneri.

Do të shohim zgjidhjen më të mirë për të arritur objektivin. Skema jonë ka funksionuar në ndeshjet e fundit, thjesht nuk kemi pasur fat për të shënuar. Nëse flisni me lojtarët, ata ndihen të sigurt në fushë me këtë skemë. Djemtë, për atë që kam bërë në këtë periudhë që kam qenë këtu, janë të kënaqur. Nuk e kam problem të ndryshoj skemën, nuk jam i fiksuar me një skemë, por duhet kohë”.

Në fund edhe pak humor me Alban Bushin, trajnerin e Kombëtares U-21. “Nëse do të kemi probleme me lojtarët, do të “peshkojmë” te Shpresat, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Bushi? Ai “qan” gjithmonë, është mësuar kështu”, – ka thënë duke qeshur trajneri i Kombëtares, Edi Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë