Ka ndodhur

2.6 ton kanabis drejt Malit të Zi, 2 në pranga

Zbardhen detaje të reja nga kanabisi i sekuestruar (2.6 ton) në Mal të Zi, i cili po transportohej me një kamion.

“Pas hetimeve të përbashkëta dhe një pune intensive hetimore të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, duke u përfshirë disa Drejtori Vendore, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, identifikimi dhe lokalizimi i dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e sasisë së marijuanës të kapur në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit (Bozhaj)”, thuhet në njoftimin e polcisë.

Policia thotë se në pranga kanë rënë Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër.

“Nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues shtetasin E. C. ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të shtetasit P. Sh., i ndihmuar nga shtetasi  A. T. dhe personi i shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale.

Ndërkohë, vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë e  Shkodrës dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë