Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike është sekuestruar në Podgoricë të Malit të Zi.
Sipas mediave malazeze, bëhet fjalë për më shumë se 2 ton kanabis sativa, të cilat po transportoheshin me një kamion.
Droga u kap në terminalin doganor në Bozaj gjatë kontrollit të kamionit që kishte hyrë nga Shqipëria në Mal të Zi.
Në pranga ra shoferi i kamionit, i quajtur Elvis Çalik, 40 vjeç, nga Shqipëria. Sipas autoriteteve policore, për këtë trafik ndërkombëtar ishin kryer hetime disamujore dhe ngarkesë me drogë po mbahej nën vëzhgim. Kamioni i mbushur me më shumë se 2 ton kanabis kaloi nga Shqipëria drejt Malit të Zi.
Nuk ka informacione se ku ishte ngarkuar malli, por sipas mediave malazeze, kamioni i përkiste një kompanie që kryen transport ndërkombëtar të ushqimeve.
Brenda kamionit kishte fruta-perime, të cilat shërbenin si kamuflim për të fshehur drogën. Destinacioni përfundimtar ishte Evropa Perëndimore, dyshohet Gjermania.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë linjë trafiku të lëndëve narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




