Ka ndodhur

Në kërkim për mashtrim, arrestohet çifti nga Shkodra

Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Mes të arrestuarve janë edhe një burrë me një grua, pasi Gjykata e Shkodrës i ka dënuar me nga 5 vite burg për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” kryer në bashkëpunim.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Zamir Kalej, 53 vjeç dhe Bukurije Kalej, 48 vjeçe (bashkëshortë), banues në Shkodër. Këta dy shtetas ishin shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar secilin prej tyre me 5 vjet dënim, për veprën penale ‘Mashtrimi me pasoja të rënda’ kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, është ndaluar edhe Albano Beqiraj, 29 vjeç, i cili, me vendimet penale të Gjykatës Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Gjykatës Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, është dënuar me 4 vite burgim, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Po ashtu u bë kapja dhe ndalimi, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetases R. S., 20 vjeçe, pasi ka qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, por gjatë kontrolleve, kjo shtetase nuk është gjetur në banesë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë