Lajme

Pa punë e shtëpi, 47-vjeçarja nga Fieri kërcënon me vetëflijim

Një shtetase nga Fieri e divorcuar, ka kërcënuar se do të hidhet nga kati i pestë i godinës së Partisë Demokratike në këtë qytet. Shtetasja Lindita Maloku, 47 vjeç, jetonte në fshatin Fermë Çlirim. Ajo ka bërë disa tentativa për t’u hedhur, për shkaqe ekonomike.

Dy vite më parë, 47-vjeçarja Lindita Maloku u divorcua nga bashkëshorti i saj, të cilin e akuzonte për dhunë në familje.

Në betejën ligjore ajo humbi kujdesin e fëmijëve, frut i kësaj martese por humbi edhe një çati ku të fusë kokën.

E gjendur e pastrehë dhe në kushte të vështira sociale dhe ekonomike, 47-vjeçarja kërkoi disa herë ndihmë nga strukturat shtetërore, ndihmë që ende nuk e ka gjetur.

Për t’u dhënë më shumë zë kërkesave të saj, në muajin qershor, Lindita hipi në katin e pestë të godinës së zyrave të Partisë Demokratike në Fier, duke kërcënuar se do të hidhej prej andej.

Pas negociatave me policinë, në atë kohë ajo zbriti e palënduar dhe me shpresën se problemet e saj do të merrnin zgjidhje.

Dy muaj më vonë, Lindita thotë se ende nuk ka gjetur zgjidhjen dhe ka hipur sërish në të njëjtin vend. Këtë herë kërkon që të takohet me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe përsërit kërcënimin se do të hidhet nga kati i pestë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë