Kryetari i PD-së, Lulzim Basha foli sërish për pandeminë, jo në një dalje për mediat, por në një bashkëbisedim të zgjeruar me studentë në Qytet “Studenti” .
Basha u njoh, por e theksoi edhe vetë problematikën e lindur mes studentësh se ata nuk u njoftuan në kohë për kalimin e mësimit online, dhe se qeveria nuk mori asnjë masë për këtë vendim të beftë.
“Sa më pak testime dhe mbështetje, aq më shumë viktima do të shkaktojë COVID. Kemi testimet më të ulëta dhe shpenzimet më të larta për PPP në Europë. Kam një muaj e gjysmë që nuk i takoj dot prindërit. Nuk i takoj prindërit për t’i ruajtur ata, jo se nuk me merr malli për ta, më merr shumë…
Para dy ditësh im atë kishte datëlindjen, nuk mund ta uroja nga afër. Studentët kanë paguar qiratë e shtëpive, kanë lënë punën në qytetet e tyre për të ardhur në shkollë. Kujtohen 3 ditë para, ndërkohë studentët kanë bërë shpenzime për të qëndruar në Tiranë. Vendimi për të kaluar mësimin online, i pabesë dhe me pasoja të mëdha për studentët”, – u tha Basha studentëve.
Kryetari i opozitës bëri sërish thirrje për subvencionimin e tabletëve për mësimin në distancë.
Duke falënderuar çdokënd prej studentëve që kishte respektuar distancën dhe vene maskën në atë bashkëbisedim, Basha tha se sot duhet që të gjithë kapacitetet të vihen në funksion të luftës ndaj pandemisë
“Vizioni ynë për shëndetësinë, shtim i stafit mjekësor dhe ndihmës për shërbim shëndetësor në kohë dhe cilësor. Qeveria duhet të blejë pajisje me mjete mbrojtëse për të gjithë mjekët dhe infermierët. Qeveria duhet të mbulojë paketën e ilaçeve anti-Covid. Qytetarët po marrin kredi për të paguar ilaçet e kurës anti- Covid
Qeveria duhet të blejë tamponët, të testojë dhe të mbulojë ilaçet për të sëmurët.
Të gjithë spitalet publike dhe shumica e klinikave private në kolaps nga keqmenaxhimi i pandemisë”, tha ai.
Basha paralajmëroi se, “jemi në fillimin e një përkeqësimi edhe më të thellë në javët e ardhshme”.
Por çfarë do të bëjë Basha në rast se opozita i foton zgjedhjet në kushtet e kësaj pandemie?
“Një ndër vendimet e para do të jetë rikuperimi i prapambetjeve që ka shkaktuar keqmenaxhimi i kësaj situate. Studentëve nga familje të varfra, do t’u mbulohet tarifa e shkollimit. Me 76 milion euro që u ka dhënë inceneratorëve, mbulohen tarifat e të gjithë studentëve. Zgjedhjet në Universitete janë një proçes fiktiv. Ne nuk i kemi njohur zgjedhjet e 30 korrikut
Ne do të investojmë gjysmën e fondit të paketës për universitetin për të paguar stazhin e 10 mijë studentëve çdo vit.
Ne do t’i lëmë universitetet të vetëqeverisen në mënyrë autonome.
Në vitin e parë të qeverisë, 10 mijë studentë do ta kenë stazhin të paguar.
Arsimi universitar kryeprojekti që nxjerr vendin nga kjo krizë”, premtoi Basha
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







