Janë tri mungesat e sigurta për trajnerin Edi Reja për dy ndeshjet e fundit në grup të Ligës së Kombeve, me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, që zhvillohen më 15 dhe 18 nëntor në “Air Albania Stadium”. Odise Roshi i shtohet listës së mungesa, ku bëjnë pjesë Keidi Bare dhe Kastriot Dermaku. Që të tre do të mungojnë për shkak dëmtimi.
Bare, që është edhe mungesa më e rëndësishme, pasi është një titullar kyç, u dëmtua disa ditë më parë gjatë një ndeshjeje me Espanjolin. Stafi mjekësor vendosi që ai të luante disa minuta, pasi vinte nga një dëmtim, por mesfushori fierak ndjeu sërish shqetësim dhe tashmë i duhet të qëndrojë rreth një muaj pushim për t’u rehabilituar.

Roshi ka dëmtuar kaviljen me ekipin e tij në Rusi dhe parashikimi është që të qëndrojë disa javë larg fushave, që do të thotë se i ka humbur të dyja ndeshjet e nëntorit. Mesfushori i krahut të djathtë nuk i gatshëm për trajnerin Reja edhe në dy ndeshjet e fundit në Kazakistan dhe Lituani.

Me shumë mundësi, do të mungojnë edhe mesfushorët Klaus Gjasula dhe Ylber Ramadani, duke i çuar mungesat në pesë. Ata luajnë në Gjermani dhe Danimarkë, ku masat ndaj pandemisë janë aktualisht mjaft të forta dhe klubet mund të mos i lejojnë të bashkohen me Kombëtaren. Para dy ndeshjeve zyrtare, trajneri Reja ka ndeshjen miqësore me Kosovën, ku do të testojë formacionin, në bazë të lojtarëve që do të ketë në dispozicion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




