Policia e kryeqytetit ka gjobitur mbrëmjen e djeshme 85 të rinj, pasi qarkullonin pa respektuar distancimin social dhe pa vendosur maskë.
Gjithashtu janë vendosur 3 gjoba me vlerë 1.000.000 lekë për tre lokale që pas orës 20:00 vazhdonin me muzikë të lartë dhe pa respektuar protokollet e sigurisë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe 2, si dhe forca e posaçme "Shqiponjat", gjatë mbrëmjes së djeshme, kanë vendosur 85 masa me vlerën 3.000 lekë secila për të rinjtë që qarkullonin pa respektuar distancimin social dhe pa vendosur maskë.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u vendosën 3 gjoba me vlerë 1.000.000 lekë secila, për tre administratorë të lokaleve që gjatë kontrolleve pas orës 20:00, shërbimet e Policisë i kanë konstatuar me muzikë dhe pa respektuar protokollet e sigurisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i shoqëruar nga drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, inspektoi disa zona të kryeqytetit për të parë nga afër zbatimin e masave Anti-covid dhe punën e Policisë.
Veliu ju ka kërkuar punonjësve të policisë masa të shtuara gjatë fundjavës me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, duke marrë parasysh festën e Halloween-it. Ardi Veliu ka urdhëruar të ushtrohen kontrolle të shpeshta në lokale dhe në sheshe, parqe e në çdo ambient publik si dhe të ndëshkohen me gjobë ata të cilët abuzojnë me rregullat e vendosura si dhe me masat e sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.