Policia e Lezhës godet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas policisë, në sajë të operacionit policor “Transportuesi”, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe është shpallur në kërkim një tjetër.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 21 kg e 56 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe 2 automjetet me të cilat udhëtonin këta shtetas.
“Në aksin rrugor Milot-Lezhë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar mjetin e dyshuar që mund të transportonte lëndë narkotike dhe i kanë bërë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të Policisë për ndalim dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjeke të automjetit. Drejtuesi i automjetit ka braktisur mjetin në një servis në fshatin Tresh, Lezhë dhe është larguar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Golf” me drejtues shtetasin K. K. shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 21 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Po gjatë operacionit, Policia ka bllokuar edhe një automjet tjetër. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit N. T., 32 vjeç dhe Z. M.,30 vjeç, banues në Lezhë, ishin bashkautorë me shtetasin K. K dhe i paraprinin rrugën për të njoftuar shtetasin K. K në rast se do konstatonin pika kontrolli të Policisë. Të dy këta shtetas në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasi K. K., 25 vjeç, banues në Barbullojë, Lezhë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. K., u gjetën dhe sekuestruan 56 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Materialet hetimore iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




