Ka ndodhur

“Më jep 10 mijë euro se të vrava”, arrestohet i riu që kërcënonte bashkëqytetarin

Policia e Tiranës ka arrestuar një 31-vjeçar, pasi akuzohet për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Policia thotë se në pranga ka rënë shtetasi Fletur Zani, pasi ka kërcënuar një qytetar nëpërmjet rrjeteve sociale për t’i dhënë një shumë të konsiderueshme parash. 31-vjeçari i ka kërkuar 10 mijë euro bashkëqytetarit I. I.

“Nga specialistët e Sektorit  të  Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP  Tiranë, pas një pune të mirorganizuar u bë ndalimi i shtetasit F.Z ., 31 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në periudhë kohore të ndryshme ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë nëpërmjet rrjeteve sociale, me qëllim dhënien e një shume të konsiderueshme parash shtetasin I.I. Gjithashtu në datën 23.10.2020 dhe 26.10.2020, e ka kanosur për jetën këtë shtetas me qëllim që ai t’i jepte shumën e kërkuar prej tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, janë kapur dhe dy shtetas të tjerë:

35-vjeçari Florian Abdi, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë, e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe 33-vjeçari me inicialet R. Sh, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë