Grabitësit po përdorin maskat anti-covid për të vjedhur. Një grua e moshës 43 vjeç u sulmua nga dy të rinj që kishin në fytyrë maskën tipike kundër infeksionit teksa ajo ishte duke u kthyer për në banesë. Ngjarja raportohet sipas burimeve shumë të sigurta të gazetës Si të ketë ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Ali Kelmendi”. Sipas rrëfimit të gruas që u sulmua, ajo e pati të pamundur të identifikonte grabitësit që i ndërprenë rrugën dhe i këputën nga qafa varësen e floririt. Çështja u ekzaminua nga policët e komisariatit numër 6, sipas kallëzimit të D. Z., një rrobaqepëse që u gjend e vetme përballë dy djemve që asaj iu dukën të kujdesshëm nga covidi, por në realitet maskën anticovid e kishin vendosur në fytyrë për të mos u identifikuar.
Gruaja u kthye nga puna në orën 21.00, në dorë mbante çelësat e shtëpisë, në dorën tjetër kishte qesen e ushqimeve dhe e vetmja gjë e shtrenjtë për të ishte një varesë floriri me vlerë 20 mijë lekë të reja. D. Z dëshmon se si u shty, se si ia këputën varësen dhe se si u rrëzua përtokë e gjakosur. “Poshtë pallatit ishin dy djem të rinj, me maska covidi në fytyrë. Njëri prej tyre mbase ishte tek të 30-at. U vërsulën dhe direkt, njëri prej tyre më kapi nga dora dhe kërkoi të më tërheqë, tjetri më këputi varësen. U rrëzova dhe humba ndjenjat nga përdorimi i forcës”.
Gruaja e grabitur tregon se më pas është çuar dhe i është afruar lokalit më të afërt ku dhe ka kërkuar ndihmë. “Në pasqyrë pashë që isha e gjakosur dhe që po më rridhte gjak nga qafa. Pronari i lokalit njoftoi policinë”.
Siç bën me dije policia për gazetën Si, pasi është marrë dëshmia e 43-vjeçares, ajo është shoqëruar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë. “Ngjarja ka ndodhur në vend të pandriçuar dhe aty nuk ka kamera sigurie, – deklaron policia që pavarësisht se ka tentuar të marrë dëshmi të banorëve, nuk ka gjetur asnjërin prej tyre që do të mund të identifikonte grabitësit e maskuar me maskë covidi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.