Arrestohet ish-drejtori i Hidrokarbureve pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Klodian Gradeci.
Gradeci është arrestuar në aeroportin e Rinasit, teksa kthehej nga Turqia. Ish-drejtori ishte shpallur në kërkim për akuzën e korrupsionit dhe u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Akciza”, të finalizuar më datë 6 tetor të këtij viti.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Akciza’, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’”, thuhet në komunikatën e policisë.
Gradeci dyshohet se së bashku edhe me biznesmenë dhe zyrtarë të tjerë i kanë shkaktuar një dëm prej 1.5 milionë dollarë buxhetit të shtetit. Më parë u arrestuan Denis Durrësi, drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, vartësi i tij, inspektori Qani Hoxhaj dhe dy inspektorë tatimorë, Arben Doda e Simon Marku dhe biznesmenin Naim Kasa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




