Sot shënohet dita e pestë e grevës së urisë e grave naftëtare të Ballshit, por gjendja e tyre është e rënduar.
Së bashku me grevën e naftëtarëve, bëhen 22 ditë që punëtorët e rafinerisë së naftës në Ballsh kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre ekonomike.
Dy prej grevisteve janë paraqitur në gjendje më të rëndë.
Këtë të hënë jashtë ambienteve janë edhe kolegë të tyre, të cilët kanë mbështetur që nga dita e parë kolegët që ndodhen në grevë urie.
Por, pavarësisht se ndodhen në grevë urie mes të ftohtit dhe sëmundjeve, akoma nuk ka ardhur një zgjidhje për problemin e tyre.
“Nuk na ka ardhur asnjë njeri nga spitali dhe nuk presim asnjë njeri nga spitali. Sot jam me një dhimbje të madhe dhe iu bëj thirrje të gjitha grave dhe zonjave të parlamentit, ambasadores Yuri Kim, ambasadores suedeze, zonjës Spiropali, po jetojmë në një muaj të dhimbshëm, ku nënat po heqin nga shpirti i tyre për të ushqyer ato fëmijë”, mësohet të jetë shprehur njëra nga naftëtaret.
Ditën e djeshme, grevistet janë vizituar nga ish-deputetet e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri dhe Dhurata Çupi, të cilat përsëritën edhe një herë mbështetjen e Partisë Demokratike për naftëtarët.
Gratë naftëtare u vizituan mbrëmë nga afër edhe nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Ajo hodhi akuza ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama për gjendjen e vështirë, në të cilën ndodhen sot punëtorët e kësaj uzine.
Naftëtarët e Ballshit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në zgjidhjen e problemeve të tyre ekonomike.
Ata protestuan edhe në Tiranë më 17 shtator përpara Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, ku kërkuan nga qeveria të ndërhyjë te kompania menaxhuese e rafinerisë, e cila prej 10 muajsh nuk u ka dhënë pagat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




