Politike

BE optimiste: Marrëveshja Kosovë-Serbi arrihet edhe brenda pak muajve

borrelGazetasi

Bashkimi Europian është optimist se brenda disa muajve, Kosova dhe Serbia mund të gjejnë një marrëveshje të përbashkët në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell deklaroi të hënën se kjo marrëveshje do të jetë përfundimtare.

Por, Borrell kërkoi që të dyja palët të angazhohen me seriozitet dhe mbi të gjitha me qëndrime reale në tryezën e bisedimeve. Komentet e tij, kreu i diplomacisë së përbashkët të BE-së i bëri pas takimit të Ministrave të Jashtëm të unionit ditën e hënë.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se beson që arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh dhe jo vitesh, nëse të dyja palët angazhohen në mënyrë konstruktive.

Borrell tha se BE nuk synon që të imponojë asnjë zgjidhje dhe as të përshpejtojë artificialisht procesin. Ai u shpreh se synimi i Brukselit është që në radhë të parë të ndërgjegjësojë dy vendet duke ua bërë të qartë se nuk mund të ecin në rrugën e tyre europiane pa një zgjidhje të kësaj çështjeje.

Në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të BE-së raportoi Miroslav Lajçak, që është përfaqësues i posaçëm i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi. Edhe Lajçak përforcoi qëndrimin e Borrell kur tha se “në këtë takim u bë e qartë se e ardhmja europiane si e Kosovës, ashtu edhe e Serbisë lidhet ngushtësisht me ecurinë dhe suksesin e bisedimeve”.

Lajçak do të udhëtojë këtë javë në Prishtinë dhe Beograd në përpjekjen e radhës për të ulur dy palët në tryezë. Aktualisht bisedimet janë përqëndruar tek bashkësia e komunave me shumicë serb. Beogradi kërkon që Kosova të ndryshojë Kushtetutën dhe të parashikojë më shumë pushtet për këtë bashkësi, por kërkesa është refuzuar deri më tani nga Qeveria e Kosovës.

Prishtina e konsideron këtë çështje të mbyllur me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila në vendimin e marrë ndërtoi edhe kornizat sipas të cilave duhet të ngrihet bashkësia e komunave serbe dhe ato janë vetëm brenda parashikimeve të Kushtetutës aktuale të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë