Planet e trajnerit Edi Reja ndryshuan gjatë përgatitjeve në Durrës për shkak të mungesave, që fillimisht ishin të shumta. Uzuni ishte menduar titullar nga trajneri italian, por sulmuesi beratas u dëmtua dhe la grumbullimin, ashtu si dhe portieri Strakosha. Megjithatë, me kuqezinjtë u bashkua Etrit Berisha dhe porta do të jetë në duart e tij.
Berisha do të mbajë edhe shiritin e kapitenit në ndeshjen e sotme, pasi Elseid Hysaj është i skualifikuar. Prapavija do të jetë e gjitha “italiane”, para Berishës do të rreshtohet treshja e përbërë nga Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla. Mbrojtësi i Romës do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen e parë si titullar me Kombëtaren e Shqipërisë dhe pritet të jetë një nga pikat më të forta të saj.

Debutues do të ketë edhe mesfusha, konkretisht në treshen e qendrës, ku dyshes Abrashi-Bare pritet t’i bashkohet njëri mes Sherif Kallakut dhe Endri Çekiçit, të dy lojtarë me aftësi të mira teknike, të cilët mund të ndihmojnë në manovrën sulmuese. Në krahun e majtë pritet Trashi titullar, kurse në të djathtin Lenjani. Edhe pse ky i fundit është një mëngjarash, trajneri Reja beson se me përvojën që ka mund ta ndihmojë ekipin, duke u futur në qendër për të goditur portën.
Një vend titullari në sulm trajneri Reja ka rezervuar për Armando Brojën. Lojtari i Çelsit, i huazuar te Viteshe në Holandë, do të luajë përkrah Manajt në këtë ndeshje, ku mungojnë Cikalleshi, Balaj dhe Sadiku. Në stol është i gatshëm Xhakomo Vrioni, për të cilin mund të ketë minuta në pjesën e dytë, në varësi të rezultatit. Skema e lojës nuk ndryshon, është 3-5-2.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




