Shumë prej nesh kemi një jetë aq të ngarkuar sa koha që kalojmë duke u marrë me një hobi po zvogëlohet çdo ditë e më shumë.
Hulumtimet kanë treguar se një e treta e njerëzve kalojnë më pak se 42 minuta në ditë duke bërë diçka që i bën të lumtur, kohë që përbën vetëm 3% të 24 orëve.
Sigurisht, koha e lirë është veçanërisht e rëndësishme sepse na lejon të qetësohemi dhe të relaksohemi nga streset e mundshme të ditës por një studim i ri ka treguar se relaksi nuk është përfitimi i vetëm që kemi nga kryerja e aktiviteteve që na pëlqejnë.
Hulumtimi, i botuar në Revistën “Sjelljet profesionale” ka treguar se duke kaluar kohë me një hobi, mund të rrisim besimin që kemi në aftësinë tonë për të kryer mirë punët tona për sa kohë që hobi është i ndryshëm nga profesioni dhe puna që bëjmë.
Ekipi i psikologëve nga Universiteti Sheffield mori 129 persona që merreshin me hobit e tyre gjatë kohës së lirë. Studimi zgjati 7 muaj dhe pjesëmarrësve iu kërkua të mbanin shënim sa kohë kaluan duke bërë atë që pëlqenin si dhe plotësonin një formular që maste besimin që pjesëmarrësit kishin në veten e tyre në lidhje me punën që bënin.
Studimi zbuloi se pjesëmarrësit që kaluan më shumë kohë duke u marrë me hobit e tyre kishin më shumë besim në aftësitë e tyre.

Sidoqoftë, kjo ishte e vërtetë vetëm kur hobi ishte shumë i ndryshëm nga puna e atij personi.
Në fakt, nëse dikush investonte shumë kohë në një hobi që ishte shumë i ngjashëm me punën e tij, kjo në të vërtetë kishte një efekt të dëmshëm pasi ato humbnin dëshirën për të punuar plus që e merrnin shumë lehtë punën dhe kjo bënte që ato të humbnin besimin se po japin maksimumin.
“Një përkushtim i madh ndaj hobeve mund të na ndihmojë të ndërtojmë aftësi dhe përvoja që përmirësojnë besimin që ne kemi në veten tonë kur bëhet fjalë për performancën në punë.” tha Ciara Kelly, psikologe dhe udhëheqësja e studimit.
Ajo tha se hobi i saj është alpinizmi dhe e praktikon shumë. Kjo gjë e ka bërë atë të rrisë besimin se është një psikologe e aftë dhe se mund të japë maksimumin në atë që bën. E gjitha kjo vjen si pasojë e lumturisë që ne marrim kur bëjmë gjërat që na pëlqejnë.
“Duke qenë të lumtur, ne mendojmë se mund të shpëtojmë botën.” tha ajo.
Kaloni më shumë kohe duke bërë diçka që e keni pasion pasi kjo nuk është vetëm një mënyrë për të ndihmuar shëndetin tuaj mendor dhe për të shmangur stresin por në fakt mund të ju bëjë edhe një punonjës më të mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



