Sport

Propozimi, të ndalohet gjuajtja e topit me kokë

Futbolli është pa asnjë diskutim loja më e pëlqyer në botë. Që prej më shumë se një shekulli, ky sport ka marrë vëmendjen kryesore dhe është i ndjekur dhe praktikuar në të gjithë botën, nga femra dhe meshkuj, të vegjël dhe të mëdhenj.

Shumë herë futbolli i është nënshtruar ndryshime shumë të forta, gati revolucionare. E tillë ishte vendosja e rregullit për pozicionin jashtë lojë të sulmuesve që ishin më mbrapa se mbrojtësit kundërshtarë. Por edhe vendosja e teknologjisë në fushë në vitin e fundit ishte një tjetër ndryshim në rregullat e futbollit. Kjo e fundit pas një serie kritikash të forta, ka filluar të pëlqehet dhe po mbështetet përdorimi i saj.

Por të gjithë duhet të bëhemi gati për një tjetër ndryshim shumë rrënjësor për sportin e futbollit. Profesori i njohur, William Brangham ka ardhur me një propozim që ka lënë gojë hapur një pjesë të madhe të opinionit futbolldashës në të gjithë botën.

Ai, pas një studimi të gjatë ka sugjeruar që mos të lejohet gjuajtja e topit me kokë për futbollistët nën 18 vjeç. Sipas tij, pas një sërë kërkimesh dhe studimesh, ka rezultuar se gjuajtja e topit me kokë, kur ai vjen me shpejtësi të madhe, mund të lërë pasoja vërtet serioze tek këta fëmijë. Sipas profesorit pasojat e vërteta ata do fillojnë t’i ndjejnë kur t’i kalojnë 50 vitet jetë.

Ai sigurisht që e pranon se nuk mund të bëhen krahasime mes futbollit për dëmet që jep në tru apo organe të tjera të turpit, me sporte si boksi, MMA, Kickboks apo edhe disa disiplina të tjera sportive shumë më luftarake.

Por një tjetër profesor nga SHBA, Robert Cantu, mbështet teorinë e Brangham, madje duke shkuar më larg. Sipas tij gjuajtja e një topi futbolli me kokë, lë të njëjtat pasoja dëmtuese në tru, siç mund të jetë gjuajtja me grusht nga një boksier. Ai thotë “Nëse një fëmijë 16 vjeç gjuan me kokë një top me shpejtësi 10 herë gjatë një ndeshje, për dëmtimin që shkaktohet në tru është e njëjta gjë sikur ai të ishte goditur 4 herë me grusht”.

Në Angli, kjo çështje është kthyer në problem serioz dhe disa akademi futbolli janë duke marrë në konsideratë për të mos e lejuar gjuajtjen e topit me kokë për futbollistët nën 18 vjeç, kohë kur ata kanë arritur pjekurinë e duhur.

Pritet që në vitet e ardhshme diskutimet për këtë çështje të shtohen edhe të bëhen më serioze. Por askush nuk duhet të habitet, nëse një ditë do të shoh futboll, ku nuk lejohet ta gjuash topin me koke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë