Me shpresën se së paku shfaqjet do të vihen në skenë në Open Air, Zana Çela përmbylli analizën e performancës katërvjeçare të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, nën drejtimin e saj.
Kur merrnim vendimet për të dhënë shfaqje klasike në turne apo sheshe, ishin ëndrra, firmosnim drafte ëndrrash se na dukej e pabesueshme se mund të realizonim shfaqje pa infrastrukturën e një teatri. Ky katër vjeçar më riktheu me optimizëm që realizohen.”, u shpreh Çela, ndërsa e cilësoi si një sfidë të teatrit pa teatër për të bërë opera dhe balet.
Më tej drejtoresha zbuloi se në katër vite nën drejtimi e saj, kohë që përkoi me nisjen e rikonstruksionit të mjediseve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, brenda godinës ishin dhënë shfaqje në vetëm katër muaj. Pjesa tjetër kanë qenë turne, në sheshe dhe muze...491 shfaqje në total.
Të mësuar me shfaqjet në mjedise të hapura, edhe përpara goditjes nga pandemia Covid-19, TKOB ishin të parët që përshtatën aktivitetin e tyre, duke shpërndarë 31 shfaqje në mediat sociale dhe rrjetin YouTube, me një shikueshmëri sipas zonjës Çela prej 3.7 milionë.
Të njëjtën gjë pohoi edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke përgëzuar stafin e TKOB se ishin të parët që në momentet e vështira të pandemisë iu përqasën dinamikave të reja. “Ju e gjetët mënyrën për të qëndruar me ta dhe me njëri-tjetrin, edhe pse në hapësirë virtuale”, tha ministrja, e pranishme në këtë prezantim të performancës, ku drejtoresha Çela cilësoi si suksese personale fokusin tek marketingu dhe rritjen e sponsorëve, që kishin mundësuar 97 përqind të kostove të shfaqjeve.
Me shpresën për t’u kthyer sa më shpejt në skenën e ri konstruktuar, Ccela bëri me dije edhe një ndryshim të politikës së biletave, rritja e çmimit të të cilave ishte përfolur prej kohësh.
Çela foli më tej për një politikë gjithëpërfshirëse për çmimet e biletave, për t’i dhënë mundësi të gjithë shtresave dhe moshave, ku veç shitjes së biletave të jenë edhe abonetë apo paketa si edhe aplikimi i biletës kontribuuese edhe për kategori të veçanta.
“Kemi propozuar një çmim diku, dikur, por po planifikojmë një ndryshim në strukturim. Nuk ka pasur një aplikim të tillë këtu, por është një praktikë e teatrove dhe muzeve në botë. Është edhe strategji e Teatrit të ri”, u shpreh drejtoresha e TKOB, duke shtuar se këto politika kërkojnë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në ndryshime të tarifave, por edhe në heqjen e kufizimit të të ardhurave në raportin 70 me 30, ku TKOB është përfitues i vetëm 30 përqind nga të ardhurat që mblidhen nga shitjet e biletave.
Ministrja Margariti shtoi se prej kohësh kishte nisur hartimi i një plani të përbashkët për tarifat e reja të TKOB-it, “...që bazohej mbi vizionin se çfarë duhet të jetë TKOB. Ai duhet të dalë jashtë skemës së kësaj varësie totale nga shteti. Në asnjë vend tjetër nuk gjejmë formula të tilla, me një investim të tillë të qeverisë, një rrugë të hapur, infrastrukturë të shtruar, të ndryshojë mentaliteti në të gjithë vendin. Le të jetë kjo shtëpia e parë, ku kjo konkurrencë të marrë jetë”, u shpreh ministrja Margariti.
Çela e vuri theksin tek buxheti i pamjaftueshëm, duke shtuar se të ardhurat nga shitjet e biletave kanë qenë vetëm katër muaj në katër vjet dhe shfaqet e vëna në mjedise të hapura kanë qenë pa pagesë. Kjo, do të thoshte ajo e ka çuar ta vendosë theksin tek investimet private dhe publiciteti.
Me hapjen e teatrit të rikonstruktuar të TKOB-it, Cela zbuloi se shfaqja e parë që do të ngrejë siparin do të jetë “Ballo me Maska”, një fryt i bashkëpunimit me Teatrin e Parmës, me të cilin kanë firmosur një protokoll bashkëpunimi. “Këto gjëra nuk planifikohen nga ne, në fakt, por shpresoj ta hapim sa më shpejt teatritn”, tha ajo.
Ministrja Margariti tha se hapja e shkollave do të jetë një test, për të parë sesi do të procedohet në vijim, “Patjetër ëndrra jonë është inaugurimi i vërtetë i sallës dhe të të gjithë ambienteve të TKOB-it”,tha Margariti. Por deri atëherë, mbetet mundësia e shfaqjeve “Open Air” dhe vënia në jetë sipas protokolleve anti-covid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.