Nëse i drejtohesh NATO-s me një kërkesë për informacione të detajuara për investimin prej 51 milionë eurosh në bazën ajrore të Kuçovës, përgjigjia që merr mbrapsht është një njoftim zyrtar i thatë që nuk shuan kureshtjen e shumë pyetjeve që ngrihen në këtë moment të trazuar diplomatikisht në rajon.
Gazeta Si iu drejtua zëdhënësit të Aleancës, Mark Sanders përmes postës elektronike me disa pyetje. Kërkuam ndër të tjera që të dinim nëse vendimi për modernizimin e bazës ajrore shqiptare kishte të bënte me rritjen e tensioneve në të gjitha vendet e rajonit, që nga tema e kufijve mes Kosovës e Serbisë, referendumi maqedonas për çështjen e emrit, nga rezultati i të cilit do të varet edhe e ardhmja në NATO e Shkupit, apo influenca ruse në rajon dhe ekuilibrat e brishtë mes properëndimorëve në njërën anë dhe prorusëve e proserbëve në anën tjetër në Mal të Zi.
Zëdhënësi Mark Sanders na thotë se NATO ndjek me vëmendje ngjarjet në rajon, sidomos në vendet anëtare dhe përreth vendeve anëtare që mund të cenojnë sigurinë e vetë Aleancës.
Por a ka NATO sinjale në sfond që flasin për tensione në rritje, apo vendimi për hapjen e bazës është një vendim i rëndomtë burokratik në kuadër të investimeve nga fondi i përbashkët i vendeve anëtare të Aleancës. Sanders iu përgjigj kësaj pyetjeje me një “no comment” të prerë.
Edhe për detajet teknike dhe logjistike të bazës, zyra e shtypit të NATO-s tregohet diskrete dhe nuk jep informacion, por thotë se numri i trupave dhe avionëve që do të stacionohen atje do të përcaktohen në një moment të dytë.
Lajmi i investimit 51 milionë eurosh nga NATO për modernizimin e bazës së Kuçovës është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtar. Britanikja Express shkruan se Aleanca po zgjeron dhe përforcon ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor me hapjen e bazës së parë në këtë rajon dhe dorën e shtrirë zyrtarisht për anëtarësim për të gjitha vendet ballkanike.
Angazhimin e NATO-s, Express e sheh në një linjë paralele me atë të Bashkimit Europian për politikat e zgjerimit, por edhe për të siguruar gazsjellësin Trans-Adriatik, që kalon edhe përmes Shqipërisë, e që pritet të furnizojë me 10 deri në 20 miliardë metër/kub në vit drejt Europës.
Në artikull, Express përmend gjithashtu edhe situatën e re të krijuar në Kosovë me përfundimin më 4 gusht të afatit të vendosur nga bisedimet Prishtinë-Beograd për ngritjen e bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




