Kombetarja

Reja: E pësuam nga një gabim trashanik. Gjasula merr përgjegjësitë

Tejet i zhgënjyer ishte pas humbjes me Lituaninë trajneri i Shqipërisë, Edi Reja. Ai komplimentoi kundërshtarin për përgatitjen e lartë fizike dhe theksoi se skuadra mund të kishte marrë një pikë, nëse nuk do të kishte bërë atë gabim trashanik. Reja foli dhe për skemën e tij, e kritikuar nga specialistët e futbollit në Shqipëri.

“Jam i zhgënjyer për humbjen dhe lojën. Lituania ishte më mirë fizikisht se ne. Për fat të keq, bëmë atë gabim dhe e humbëm ndeshjen, tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përpara. Patëm 2-3 raste që arritëm t’i shfrytëzonim. Kundërshtari na vuri në vështirësi, ata vrapuan për 90 minuta dhe nuk na lanë të bënim lojën tonë.

Sadiku në aksion gjatë ndeshjes me Lituaninë. Gazeta Si, 8 shtator 2020

Në fillim të pjesës së dytën provuam ta ndryshonim rezultatin, ushtruam presion në portën kundërshtare. Mendova të aktivizoja Roshin dhe Uzunin, të cilët janë lojtarë dinamikë, por Roshi pësoi tërheqje. Ishte një ndeshje që mund të mbyllej edhe 0-0, por u vendos nga një gabim trashanik. U kisha thënë lojtarëve se nuk duhet të bënim asnjë gabim. I pashë lojtarët shumë të mërzitur pas ndeshjes. Nuk kemi bërë revolucion në ekip, e gjithë bota luan me tre mbrojtës.

Patëm probleme fizike, lodhja u ndje shumë në këmbët e lojtarëve. Kundërshtari ishte thuajse 2 hapa para nesh sa i takon anës fizike. Lituania edhe ndaj Kazakistanit nuk luajti keq. Më vjen keq, sepse ndeshjen e kishim përgatitur shumë mirë, na dëmtoi ai gol i pësuar. Duhet t’i bëj komplimente kundërshtarit. Broja? Është ende shumë i ri dhe duhet më shumë eksperiencë, por mund të aktivizohet në të ardhmen, shpresoj që në të ardhmen të kem lojtarë më të mirë fizikisht.

Do ishim të kënaqur edhe me një barazim ndaj Lituanisë. Nuk them se jemi favoritë, pasi ka skuadra shumë të mira në grup, shpresoj të bëjmë më mirë në ndeshjet e tetorit. Mungesa e Hysajt do ndihet, por kemi një grup të madh lojtarësh, kemi zëvendësues”, – tha trajneri i kuqezinjve, Edi Reja.

Gjasula dhe Dermaku. Gazeta Si, 8 shtator 2020

Gjasula merr përgjegjësitë
Klaus Gjasula ishte protagonist negativ i ndeshjes, ku një gabim i tij solli golin e Lituanisë. Pas ndeshjes ai mori përsipër përgjegjësitë dhe pohoi se kundërshtari nuk i lejoi kuqezinjtë të bënin lojën e tyre. “Ata ishin fizikisht më të fortë, luajtën një kundër një dhe na e bënë shumë të vështirë lojën. Ishte shumë e vështirë për ne të krijonim raste, nu gjetëm një mënyrë për të luajtur më mirë. Marr përgjegjësitë e humbjes, ishte faji im, gabova. Nëse nuk do ta kisha bërë atë gabim, do kishim marrë një barazim ose mund të fitonim. Nuk patëm shans të merrnim pikë prej gabimit dhe për këtë më vjen shumë keq. Lituani nuk është ekip i keq, edhe pse humbën ndaj Kazakistanit”, theksoi mesfushori i Hamburgut, Klaus Gjasula.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë