Kombetarja

Gabime pa fund dhe nervozizëm, Shqipëria i dhuron fitoren Lituanisë

Shqipëria bën gjithçka keq në “Air Albania Stadium”, ku humbja mund të ishte më e thellë se 0-1. Zhgënjim total, një lojë pa orientim, konfuzion thuajse për 90 minuta, asgjë për t’u mbajtur mend. Kuqezinjtë janë shfaqur mjaft nervozë, ndërsa eksperimenti i trajnerit Reja me Laçin në mesfushë ishte i dështuar.

Mungesa e Kedi Bares ndihet që në fillim, pasi skuadra jonë nuk arrin të dalë përpara. Sadiku dhe Manaj tërhiqen deri në gjysmëfushën tonë, duke shpenzuar shumë energji. Mungon organizatori dhe fantazia, ndërsa topat e krosuar nga Hysaj dhe Trashi nga krahët largohen nga mbrojtësit shtatlartë të Lituanisë, duke bërë që skuadra jonë të mos e godasë asnjëherë portën kundërshtare.

Moment nga ndeshja Shqipëri-Lituani, 0-1. Laçi në aksion. Gazeta Si, 7 shtator 2020

Trajneri Reja nuk preferon të ndërhyjë në pushim, por duron edhe 15 minuta nga pjesa e dytë. Por gjërat shkojnë edhe më keq, teksa Gjasula i dhuron një top sulmuesit Kazlauskas, Strakosha del huq, kurse Hysaj nuk arrin të largojë topin në vijën fatale. Tri gabime njëri pas tjetrit. Malorja bëhet edhe më e fortë për kuqezinjtë, pasi Roshi, i futur në fushë në minutën e 6-të, bashkë me Uzunin, del pas 14 minutash për dëmtim.

Një ndërrim i djegur, vendin e fierakut e merr Broja, i cili debuton me fanellën kuqezi. Me kalimin e minutave loja e Shqipërisë zbehet edhe me shumë me gabime amatoreske dhe shumë nervozizëm, çka bën që kapiteni Hysaj të lërë fushën 3 minuta para fundit për shkak të kartonit të dytë verdhë. Një ndeshje shumë e dobët, që na kthen disa hapa pas. Dhe mungesat nuk janë justifikim. Pas dy ndeshjesh në Ligën e Kombeve, Shqipëria ka 3 pikë.

Shqipëri-Lituani 0-1
Shënues: Kazlauskas 51’

SHQIPËRIA: Strakosha, Gjimshiti, Mihaj, Dermaku, Hysaj, Trashi (Roshi 60’, Broja 74’), Abrashi, Gjasula (Uzuni 60’), Laçi, Manaj, Sadiku. Trajner: Edi Reja.
Lituania: Svedkauskas, Vaitkunas, Palionis, Girdvainis, Mikolunas, Simkus, Dapkus, Lasiskas, Vorobjovas, Kazlauskas, Shimkus. Trajner: V. Urbonas.
Gjyqtar: S.Boiko (Ukrainë)
Karton i kuq: Hysaj 87’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë