Kombetarja

Lëvizje në çdo repart, Reja i jep më shumë energji formacionit

Ndryshimet në formacionin e Shqipërisë për ndeshjen e sotme me Lituaninë i paralajmëroi vetë trajneri Edi Reja në konferencën për shtyp. Edhe pse skuadra funksionoi mirë në ndeshjen me Bjellorusinë, ku kuqezinjtë fituan 0-2, trajneri italian ka menduar që të menaxhojë sa më mirë forcat, duke i dhënë më shumë energji ekipit, por pa kaluar në aventurë. Broja dhe Laçi pritet të debutojnë me Kombëtaren.

Lëvizjet e Rejës do të prekin të tre repartet. Strakosha është titullari i portës dhe para tij pritet të jetë treshja e përbërë nga Dermaku në qendër, Gjimshiti majtas dhe djathtas Mihaj, i cili pritet të marrë vendin e Veselit. Mbrojtja është reparti që e bindi më shumë trajnerin Reja në ndeshjen e fundit. Po ashtu, dy lojtarët e krahëve, Hysaj dhe Trashi, të cilët kanë gjetur veten me skemën 3-5-2, siç pranoi edhe vetë kapiteni i kuqezinjve, do të jenë nga minuta e parë.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë për ndeshjen e sotme me Lituaninë. Gazeta Si, 7 shtator 2020

Qendra e mesfushës dhe sulmi mund të preken më shumë nga ndryshimet. Gjasula mendohet titullar, ndërsa për dy partnerët e tij trajneri Reja ka dilema. Njëri mund të jetë Laçi, në vend të Abrashit, ndërkohë që duhet të zgjedhë edhe njërin mes Bares dhe Çekiçit. Cikalleshi, goleadori i ndeshjeve të fundit, do të pushojë këtë herë. Sadiku, Balaj, Broja dhe Uzuni janë gati për të thënë edhe ata fjalën e tyre. Mundësitë për të qenë titullarë i kanë Sadiku dhe Broja, por mund të kemi edhe Manajn përsëri nga minuta e parë.

Shqipëria ka sot një mundësi shumë të mirë për fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kombeve. Ndeshja nis në orën 20:45, në “Air Albania Stadium” dhe luhet pa tifozë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë