Kombetarja

Shqipëria dikton në Bjellorusi, kuqezinjtë bindin ndaj një rivali direkt

Data 4 shtator i sjell fat Shqipërisë. Kuqezinjtë kanë fituar 0-2 në Bjellorusi, duke i bërë një nisje shumë të mirë Ligës së Kombeve. Sigurisht, nuk është një fitore si ajo e bujshmja me Greqinë në 4 shtatorin e 2004-ës, kur grekët vinin me statusin e kampionëve të Europës, por është një fitore e rëndësishme për të ardhmen. Djemtë e trajnerit Reja kanë dominuar ndaj një rivali, ndaj një kundërshtari ndoshta më të lehtë nga sa ishte parashikuar dhe e kanë merituar 3-pikëshin.

Shqipëria zbriti në fushë me formacionin e ndeshjeve të fundit. Trajneri Reja u besoi “senatorëve” dhe skemës së tij 3-5-2, pasi i interesonte më shumë rezultati. Cikalleshi-Manaj përpara, një dyshe e kolauduar tashmë, Abrashi në treshen e mesfushës me Baren dhe Gjasulën, Hysaj dhe Trashi në krahë, ndërsa përpara Strakoshës u rreshtuan Dermaku, Gjimshiti dhe Veseli.

Cikalleshi feston golin e parë. Gazeta Si, 4 shtator 2020

Në pjesën e parë Shqipëria bëri një lojë shumë të mirë. Që në fillim Cikalleshi dhe Manaj ishin afër golit. Hysaj dhe Trashi vepruan mirë nga krahët, sidomos në lojën sulmuese. Në minutën e 23-të Cikallehsi zhbllokoi shifrat me një të majtë të fuqishme nga jashtë zonës. Më pas kuqezinjtë e kontrolluan mirë ndeshjen. Në 45 minutat e dytë, trajneri Reja hodhi në fushë Roshin, i cili ishte protagonist në golin e dytë, me një pasim të saktë për Baren, i cili preu shpresat e bjellorusëve për pikë në këtë ndeshje. Balaj dhe Mihaj ishin dy ndërrimet e fundit të Rejës, që vazhdon të shijojë rezultate pozitive në krye të Shqipërisë.

Shqipëria, pas kësaj fitoreje, e dyta në histori ndaj Bjellorusisë dhe e para në fushën e saj, kryeson Grupin 4 në Ligën c në Ligën e Kombeve, me pikë të barabarta me Kazakistanin. Pas tri ditësh ndeshja me Lituaninë në “Air Albania Stadium”, ku mundësitë për fitore janë edhe më të mëdha.

Bjellorusi-Shqipëri 0-2
Shënues: Cikalleshi 23’, Bare 79’
BjellorusiaL Gutor, Zollotov, Martinoviç, Naumov, Bordaçev, Nekhaiçik, Jabllonski, Seliava, Staseviç, Dragun, Lisakoviç. Trajner: M.Markhel
Shqipëia: Strakosha, Dermaku, Gjimshiti, Veseli, Trashi (Roshi 68’), Hysaj, Gjasula, Abrashi, Bare, Manaj (Mihaj 90’), Cikalleshi (Balaj 72’). Trajner: E.Reja
Gjyqtar: K.Karlson (Suedi)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë