Kombetarja

Tjetër lojtar i Kombëtares në Serinë A, Ismajli kalon te Specia

Një tjetër kuqezi i shtohet Serisë A, njërit prej 5 kampionateve më të fortë në botë. Ardian Ismajli, mbrojtësi i Kombëtares, ka arritur akordin me Specian, ekipin që për herë të parë në historinë e tij do të jetë pjesë e nivelit më të lartë të futbollit italian. Futbollisti 23-vjeçar deri tani ka qenë pjesë e Hajduk Splitit në Kroaci dhe paraqitja e mirë me këtë skuadër ka bërë që ai të ndiqet nga klubet e kampionateve më të forta.

Nga kjo lëvizje, sipas detajeve të dhëna nga “Panorama Sport”, që i referohet menaxherit të lojtarit, Erkan Sulejmani, Hajduku përfiton 3 milionë euro, kurse vetë Ismajli do të përfitojë pak më shumë se 1 milion euro në sezon. Kontrata e tij e me klubin e italian është katërvjeçare dhe zyrtarizimi pritet të bëhet sot. Për futbollistin e Kombëtares shqiptare kanë pasur interes edhe Benevento dhe Leçe në Itali. Largimi i tij nga Kroacia ishte vetëm çështje kohe.

Ardian Ismajli gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren. Gazeta Si, 4 shtator 2020

Ismajli ndodhet në Shqipëri aktualisht, pasi për shkak të një dëmtimi nuk udhëtoi me Kombëtaren për në Bjellorusi. Trajneri Edi Reja shpreson ta ketë gati për ndeshjen e 7 shtatorit me Lituaninë. Mbrojtësi që në fillim ka luajtur për Prishtinën në Kosovë, ka qenë titullar me kuqezinjtë në të gjitha ndeshjet e fundit. Ismajli u bashkohet kështu kuqezinjve të tjerë në Serinë A, Strakoshës te Lacio, Hysajt te Napoli, Kumbullës te Verona, Gjimshitit tek Atalanta dhe Vrionit te Juventusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë