Pandemia dhe masat kufizuese të lëvizjes kanë nxitur bizneset që të kërkojnë zgjidhje alternative dhe risi në ushtrimin e aktivitetit të tyre. E tillë është edhe ideja e një grupi të rinjsh në Izrael, me ndryshimin e vetëm se sipërmarrja e tyre është ende e paligjshme.
Grupi në fjalë shpërndau me dronë fluturues qindra doza dygramëshe me hashash në një prej shesheve qendrore të Tel Avivit. Dozat u hodhën nga ajri pas një paralajmërimi të bërë nga grupi “Green Drone” në platformën e komunikimit Telegram.
“Bombardimi” me hashash ka shkaktuar amulli në sheshin “Rabin” të kryeqytetit izraelit, ku grupe njerëzish, kryesisht të rinj janë parë duke mbledhur nga toka sa më shumë doza që të ishte e mundur.
Policia izraelit njoftoi arrestimin e dy personave rreth të 30-ave, që dyshon se qëndrojnë pas nismës në fjalë. Ata mendohet se janë pjesë e një grupi aktivistësh që veprojnë kryesisht online duke kërkuar legalizimin e hashashit me sloganin “Legalizoni dashurinë”.
Aktualisht, në Izrael është i ndaluar si prodhimi, ashtu edhe konsumi i hashashit, ndërsa shpërndarja e tij është e ndëshkueshme me burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


