Nga Bjellorusia nis një cikël i ri për Kombëtaren shqiptare të futbollit, që synon vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve. Trajneri Edi Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj kanë folur me optimizëm para kësaj transferte të rëndësishme, ku skuadra jonë paraqitet me disa mungesa, por në grupin e futbollistëve nuk mungojnë alternativat dhe italiani i stolit kuqezi është i qetë.

Trajneri Reja ka theksuar mes të tjerash se do të aplikojë skemën 3-5-2 nesër ndaj Bjellorusisë, ku ai pret pikët e para në Ligën e Kombeve: “Nuk do të bëjmë eksperimente me formacionin ndeshjen e nesërme, do të luajnë lojtarët e zakonshëm. Kemi humbur miqësoret e programuara në mars dhe në qershor, por do të ketë kohë për lojtarët e rinj që t’i provojmë. Formacioni do të jetë ai që ka qenë në ndeshjet e fundit. Më shqetëson gjendja fizike e lojtarëve, por jam i kënaqur që grupi ka harmoni.
Kemi disa të rinj që kanë cilësi, që mund të vlejnë për të ardhmen. Stërvitja është diçka tjetër, ndeshja është diçka tjetër. Do të jetë e vështirë pa cilësitë e Memushajt, mund të provojmë Laçin në vend të tij, edhe pse ai ka pasur disa probleme fizike. Nëse nuk zgjedhim Laçin, do të luajë Abrashi, i cili mund ta bëjë në atë rol. Nuk mendoj ta vendos Hysajn në mbrojtje. Vrapon shumë dhe është në formë të mirë, mund të bëjë fashën e djathtë. Te Napoli ka kaluar një fortë të mirë, shënoi gol dhe nuk kam ndërmend ta rreshtoj në mbrojtje.
Kam marrë në konsideratë faktin që mund të luajnë Sadiku me Cikalleshin në sulm. Sadiku lëviz shumë, ka njohje shumë të mirë me portën dhe është në formë. Kemi edhe Balajn që ka shfaqur një formë të mirë në stërvitje, shënoi 3 gola në miqësore. Nuk më shqetëson sulmi, jam alternativa dhe lojtarë në formë të mirë.
Do të ishte rezultat i mirë të merrnim 4 pikë në dy ndeshje. Luajmë kundër Bjellorusisë që ka nisur kampionatin, kurse ne shpresoj ta kompensojmë formën e mirë me dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin. Me presidentin Duka folëm për situatën e pazakontë, duhet që mos ndodhë gjë për 90 minuta, kam marrë një hajmali me vete. Kemi 3 zëvendësime që për mua janë pak, do të ishte më mirë të kishim 5 ndërrime”.

Kapiteni Hysaj: Të rinjtë do na ndihmojnë shumë
Kapiteni Hysaj u shpreh se në skuadër ka harmoni dhe se të rinjtë që ka grumbulluar trajneri Reja do të ndihmojnë Kombëtaren për të arritur rezultate pozitive. “Kjo periudhë e gjatë shkëputjeje nga njëri-tjetri na ka bërë që të kemi më shumë mall dhe të jemi më të bashkuar. Ka harmoni në Kombëtare. Personalisht nuk jam në 100%, pasi kam një javë që kam filluar stërvitjen. Ndoshta do kemi mangësi fizike në raport me kundërshtarin, që e ka filluar kampionatin më shpejt.
Kam provuar shumë role te Napoli dhe Kombëtarja, eksperienca që kam më ka ndihmuar ta bëj këtë. Luaj aty ku do trajneri, nuk e kam problem. Dua t’i falënderoj Mavrajn dhe Bashën për atë që kanë dhënë për Kombëtaren, kanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Çdo vit do të ketë prurje dhe çdokush ka vendin e vet. Kombëtarja po nxjerr elementë të rinj, kemi lojtarë që luajnë në Seria A dhe me klube të rëndësishme. Shpresojmë të vazhdojmë të nxjerrim sa më shumë lojtarë të rinj. Të rinjtë që kanë ardhur janë lojtarë të mirë dhe shumë profesionistë.
Vetëm në një javë duhet të bashkohemi e të mendojmë për ndeshjet, ata do na bëjnë shumë punë dhe do të mësojnë nga lojtarët me eksperiencë. E rëndësishme është ta fillojmë mirë Ligën e Kombeve, ku duhet të marrim sa më shumë pikë në ndeshjet e para dhe pastaj të vijojmë me optimizëm”, – theksoi kapiteni Hysaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




