Trajneri Edi Reja do të japë sot udhëzimet e fundit për kuqezinjtë para ndeshjes së nesërme me Bjellorusinë në Minsk. Kjo është ndeshja e parë në grup në Ligën e Kombeve, ku bjellorusët janë rivalët e Shqipërisë për vendin e parë, ndaj dhe një rezultat pozitiv në fushën e tyre do të ishte nisja më e mirë.
Pas shpalljes së listës, trajneri italian është përballur me mungesa, ku më shumë rëndojnë ato në mbrojtje. Kumbulla erdhi në grumbullim dhe pas testeve mjekësore u la ilirë të kthehet te Verona, pasi nuk mund të luante as në ndeshjen e dytë me Lituaninë, që luhet më 7 shtator. Më pas u shtuan mungesat e Ismajlit, Lenjanit dhe Memollës në mbrojtje, kështu që zgjedhjet janë kufizuar shumë.

Nga burime pranë kampit kuqezi në Bjellorusi mësohet se favorit për një fanellë titullari në të majtë është Lorenc Trashi, ish-lojtari i Partizanit që është transferuar në Kuvajt. Edhe pse nuk ka luajtur së fundi, Trashi konsiderohet si alternativa më e mirë. Kandidat është edhe Veseli, por ndoshta Reja i bën llogaritë për të pasur një mbrojtës të gatshëm në stol, pasi Gjimshiti dhe Dermaku do të jenë dy qendrat, ndërsa kapiteni Hysaj do të jetë në të djathtë. Mbetet për t’u parë edhe zgjedhja përfundimtare e Rejës për skemën, 3-5-2, apo 4-4-2.
Në mesfushë dhe sulm ka më shumë alternativa. Nuk mund të luajë Broja në Minsk, për shkak të një kartoni të kuq të marrë me Shpresat, kështu që titullarë pritet të jenë sulmuesit e “gardës së vjetër”. Kamberi nuk mundi të vinte në grumbullim, ashtu si dhe Lenjani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




