Adolf Hitler nuk duhej të kishte ardhur në pushtet. Në fakt, gjatë përpjekjes së tij 13- vjeçare për udhëheqjen e Gjermanisë, thuajse dështoi shumë herë.
Në fund, megjithatë, suksesi i tij mahnitës tregoi se si demagogjia mund të kapërcejë sfidat e mundshme të përfundimit të karrierës - dhe të ndryshojë thellësisht historinë. Një njeri i fortë i vendosur, jo i marrë seriozisht nga elitat, por i mundësuar nga një bërthamë mbështetësish të zjarrtë, mund t'i përkulte ngjarjet në mënyrën e tij, ndërsa vendi hynte në recesion të thellë. Ngjitja në dukje e pamundur e Hitlerit është një objekt leksioni, në paqëndrueshmërinë e historisë.
Ndërsa hulumtoja librin tim të ri mbi ngritjen e nazistit radikal, u shtanga sesi përpjekjet e Hitlerit për pushtet gati sa s’erdhën në fund - dhe sa afër i shkoi bota shmangies së terrorit që ai shkaktoi. E para ishte në vitin 1923, kur ai organizoi një grusht shteti të pafat, që u bë i njohur si Beer Hall Putsch. Dështoi brenda 17 orësh. Njëzet burra u vranë dhe Hitleri i shpëtoi një breshërie e plumbash policie. Njeriu pranë tij vdiq. Hitleri kërcënoi të vetëvritej dhe, në burg, tentoi një grevë urie. Në fund, ai u gjykua dhe u dënua për tradhti.
Ajo ngjarje duhet t’i kishte dhënë fund karrierës politike të Hitlerit. Por shefi nazist ishte një fanatik. I bindur për misionin e tij mesianik për të shpëtuar Gjermaninë nga rënia e pashmangshme, ai shkroi një manifest autobiografik të quajtur “Mein Kampf”, mori lirinë e parakohshme nga burgu dhe ringriti lëvizjen naziste, më 1925-n. Partia e Hitlerit tërhoqi ndjekës të vërtetë dhe u rrit. Megjithatë, në vitin 1926, ai u përball me një kryengritje të brendshme dhe një copëtim të mundshëm partiak. Në minutën e fundit, ai e shoi sfidën me një fjalim katërorësh, në një takim të mbyllur nazistësh.
Një vit më vonë, Partia Naziste ishte trokë. Hitleri konsideroi edhe njëherë vetëvrasjen, duke i thënë ndihmësit të tij të ri, Joseph Goebbels, se ai më mirë ia fuste një plumb kokës sesa të pranonte falimentimin. Ai u shpëtua nga një industrialist i pasur, Emil Kirdorf. I motivuar nga një monolog katër-orësh i Hitlerit, mbajtur në një rezidencë të Mynihut, Kirdorf thuhet se i dha Partisë Naziste 100 mijë marka , ose 350 mijë dollarë në paratë e sotme.
Në vitin 1928, Hitleri udhëhoqi bandën e tij radikale në zgjedhjet kombëtare dhe humbi thellë. Duke predikuar fundin e botës dhe rënien, Hitleri notoi kundër baticës historike. Ekonomia e Gjermanisë po tkurrej. Nazistët fituan vetëm 2.6% të votave, duke arritur fundin.
Edhe pasi Depresioni i Madh solli kthesë të madhe për partinë humbëse – nga 1930, nazistët kishin fituar 18.3% në një palë zgjedhje kombëtare –ai u përball me një tjetër kryengritje brenda partisë dhe më pas, më 1931-shin me një skandal të nxitur nga vetëvrasja e mbesës së tij 23- vjeçare, Geli Raubal, e cila hamendësohej se ishte e dashura e tij. Udhëtimi politik me ulje-ngritje vazhdoi. Në vitin 1932, nazistët e Hitlerit arritën një kulm prej 37% të votave parlamentare, por refuzimi i Hitlerit për të qenë pjesë e një koalicioni, bëri që partia të çonte dëm dy milion vota në zgjedhjet përfundimtare të vitit.
Pasi togeri i lartë i Hitlerit, Gregor Strasser, u largua në mënyrë dramatike, duke kërcënuar një thyerje të partisë, ngritja politike meteorike e udhëheqësit nazist u duk se ishte drejt fundit. “Ishte e qartë se Hitleri po shkon drejt greminës", shkroi një gazetë kryesore. “Republika shpëtoi”.
Edhe Goebbels ishte shkatërruar. “Viti 1932 ka qenë një periudhë e gjatë e fatit të keq”, shkruante ai. "Ne thjesht duhet ta bëjmë copash”. Por për habinë e shumë njerëzve, Hitleri nuk kishte vdekur ende.
Në janar të vitit 1933, politika gjermane po shkonte kokëposhtë - papunësia kishte arritur 24%, me 6 milion të papunë. Nevojitej dëshpërueshëm një qeveri e re. Pas një serie takimesh klandestine të lojtarëve politikë në prapaskenë në një vilë luksoze në Berlin, Hitleri doli si zgjedhje e fshehtë për t'u emëruar kancelar, nga Presidenti Paul von Hindenburg.
Sidoqoftë, marrëveshja e fshehtë varej nga një kabinet shumëpartiak, me ekuilibra të brishtë. Më pas, vetëm disa orë para betimit të tij të planifikuar nga Presidenti Hindenburg, lideri nazist kërkoi që ministrat e tij të kabinetit të ardhshëm të binin dakord për zgjedhje të reja brenda gjashtë javësh - një veprim që do të afirmonte mbajtjen e nazistëve në pushtet. Ishte një kusht mahnitës i sekondës së fundit. Të gjithë ranë dakord përveç Alfred Hugenbergut, i cili do të ishte ministër i ekonomisë dhe bujqësisë. Politikani i vjetër e kokëfortë, 24 vjet më i moshuar se Hitleri, nuk i besoi nazistit të zhurmshëm dhe nuk donte t'i jepte edhe më shumë dorë më të lirë.
Ujdia që Hitleri të merrte pushtetin rrezikonte të bëhej e paqartë, sërish. Pa Hugenbergun, të gjithë e dinin se nuk do të kishte asnjë kabinet, asnjë qeveri, asnjë betim.Ndërsa Hitleri dhe anëtarët e kabinetit hynë në kancelari, ku 84-vjeçari Hindenburg i priste, ndihmësi i lartë i presidentit nxori nxitimthi, orën e xhepit në dorë. “Zotërinj, ju nuk mund ta mbani presidentin më në pritje”, tha ai.
Papritmas Hugenberg, një njeri i shkollës së vjetër që respektonte manierat, autoritetin dhe moshën, pranoi kushtet e Hitlerit. Furça e fundit e Hitlerit me terr politik, e u shmang. Gjatë dy dekadave të mëparshme, ai ishte mbështetur në fat dhe retorikë për të shpëtuar herë pas here karrierën e tij - por prapa atyre faktorëve qëndronte, gjithmonë, një kontekst më i gjerë i politikës gjermane që mundësoi ngritjen e tij. Fjalimet e tij mund të parandalonin një kryengritje, por suksesi ose dështimi i ekonomisë gjermane ndikoi më shumë në fatin e Partisë Naziste. Dhe ky ishte sërish një moment kur mania e Hitlerit për pushtet nuk pati sukses e vetme, por përkundrazi me ndihmën e një sistemi që e la të ndodhte. Brenda 15 minutash, ai ishte bërë kancelar i Gjermanisë, duke krijuar bazën për tmerret që pasuan.
Të nesërmen, Hugenberg i tha një shoku: “Dje, bëra gjënë më të pamend të jetës sime. Bashkova forcat me demagogun më të madh në historinë botërore. ”
*Marrë nga TIME Magazine/ Peter Ross Range, ish-korrespodent i TIME, është autor i librit “Ngjitja më e parrokshme: Si Adolf Hitler erdhi në pushtet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.