Dikur ishin modelet e holla e të gjata të pasarelave. Më vonë sytë admirues dhe lakmia për të imituar u pushtuan nga format e kolme e të lakuara alla Kardashian. Megjithëse të pasmet voluminoze, që shpesh përftohen përmes injektimeve të botoksit vijojnë të jenë në modë, terrenin tashmë e zotërojnë trupat e gdhendur e me muskuj të modeleve të fitness-it.
Instagrami të ofron me qindra mijëra profile djemsh e vajzash që, përtej se të zilepsin me linjat e përsosura e thuajse pamundshëm të arritshme, ofrojnë video me ushtrime fizike e këshilla si të ushqehesh shëndetshëm.E tillë është Senada Greca, e cila ndryshe nga shumë blogger-e fitness-i, zgjedh t’i kryejë ushtrimet fizike jashtë palestrës e shumë pranë detit, duke e ekspozuar trupin muskulor me kostume banje. Mbiemri i saj krijon përshtypjen se bëhet fjalë për një modele italiane, ose nga një prej vendeve latine, por emri tingëllon pa ngatërrueshëm shqiptar.
Një vëzhgim më i hollësishëm në llogarinë e saj të Instragramit mes fotove dhe videove, ku zbulohet një siluetë shqiponje me dy krerë e pikturuar në trupin e saj të bind se bëhet fjalë për një modele me origjinë shqiptare. Bindjen e përforcojnë komentet e saj në gjuhën shqipe.

Senada Greca, nga Shqipëria në ShBA
Senada Greca është një influencer fitness-i me më shumë se 1.7 milionë ndjekës në Instragram dhe me një biznes të sajin që ofron programe stërvitore. E lindur në Shqipëri, ajo e la vendin për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur ishte adoleshente, ndërsa aktualisht jeton në Navy Yard.
“Kam luajtur Rugby në universitet edhe jam diplomuar në 3 vite me “Suma Cum Laude”, ndërsa punoja në qendrat e rehabilitimit duke u kujdesur për pacientë me trauma në kokë, pastaj mora diplomën Master brenda një viti, ndërsa punoja me koha të plotë. Kam shpenzuar thuajse zero para për arsimin. Prindërit e mia nuk kishin mjete financiare, kështu që kam punuar fort t’i fitoja dhe t’i mbaja bursat universitare”, zbulon Senada për të shkuarën e saj. Rrëfen se i pëlqen matematika, Excel dhe zgjidhja e ekuacioneve të vështira. “Mamaja ime ka qenë mësuese matematike dhe bënim gara kush i zgjidhte e para ekuacionet”. Kohët e fundit i është përkushtuar me kohë të plotë grupit të saj të fitness-it, njohur ndryshe si programet dhe planet e vakteve “Crush It”, të cilat i krijon me një ekip nutricionistësh.
Greca u dashurua me ushtrimet fizike dhe jetën e shëndetshme qysh fëmijë në Shqipëri, duke iu ngjitur pemëve dhe duke luajtur jashtë me moshatarët e saj e më pas kaloi në sporte e maratona.Në Shqipëri, ajo u përfshi në misionet humanitare të Kryqit të Kuq, gjatë luftës së Kosovës,, duke ndihmuar refugjatët që vinin drejt Shqipërisë. Asokohe në shkollë të mesme, punonte si vullnetare e Kryqit të kuq, në çadrat e refugjatëve, pas shkolle. Familja e saj madje hapi dyert e shtëpisë për refugjatët e luftës.
Më 1999 ajo dhe familja e saj u shpërngulën drejt ShBA-së. Aktualisht është e fokusuar në stërvitjen e forcës dhe joga, për një rikuperim më të shpejtë tw muskujve. “Kam udhëtuar drejt Goa-s, Indi për të marrë certifikatën e mësues së Jogas. Kam jetuar për më shumë se një muaj në një kasolle, me kushte minimale.Më pëlqen të eci zbathur po aq sa të vesh takat e mia të larta. Kam qenë në xhunglat e Perusë tri herë për retreat, duke punuar me bimët mjekësore”.
Shëndeti dhe fitnessi kanë luajtur një rol të madh në jetën e saj dhe e kanë ndihmuar: “Kam qenë një vajzë e ndrojtur, gjithnjë në frikë për opinionet dhe përshtypjet e të tjerëve”, ka thënë ajo. “Tashmë kam arritur një pikë ku e vlerësoj në mënyrë të vetëdijshme se çfarë mund të bëjë për trupin mendjen, vetëvlerësimin dhe vetëbesimin, ushqyerja e shëndetshme dhe ushtrimet fizike.
Padyshim ajo ka fituar popullaritet të madh përmes programeve të saj të fitness-it dhe stërvitjes. Programet online të fitness-it 12 –javore janë të hartuara rreth stërvitjeve të saj personale varen nga lidhje mendje-muskuj. Ajo ka një website të sajin, Senadagreca.com, ku mund të zhytesh në stërvitje fizike dhe ofron kategori për ndjekës fillestarë, të mesëm dhe të përparuar.
“Synimi i është të ndihmoj ta bësh fitness-in një pjesë të qëndrueshme dhe themelore të jetës tënde”, shkruan në website-n e saj. Ajo ofro gjithashtu programe dietash për klientësh e saj, duke nisur nga ato normale, te veganët, vegjetarianët dhe peshkatarianet. Fitness-i për të është një terapi e përditshme. Shkon përtej sfidave afatshkurtra të zgjidhjeve të fund vitit apo të sezonit të kostumeve të banjës. Është një pjesë integrale e jetës së saj që e ka transformuar nga jashtë brenda. Senada është e martuar, por ruan privatësinë rreth jetës së saj personale.
“Kurrë nuk do ta kisha menduar, në një milion vjet se do të kisha pasur aq impakt në jetët e aq shumë njerëzve”.
Rutina e Senadës
Mëngjesi: “Zgjohem në orën 5:45 të mëngjesit, pi një gotë të madhe me ujë dhe gjysmë limoni dhe e nis stërvitjen në orën 6. Aktualisht stërvitem gjashtë deri shtatë ditë në javë, duke zgjedhur një ditë pushimi aktiv. Besoj se një trup në lëvizje qëndron në lëvizje. Nga ora 7:30 jam gati për kafenë time dhe pak kohë në natyrë, ndërsa shëtis qenin tim, Bud. Nëse moti ma lejon ulem jashtë dhe bëhem gati të nis ditën.
Pjesa tjetër e ditës është kontrolli në ekipin e “Crush It”, në grupin e Facebook-ut, filmimi i stërvitjeve të përditshme, përgjigja e e-maileve dhe mesazheve në Instagram dhe punoj me dy bizneset e tjera, që do t’i hedh së shpejti në treg. Stërvitja kreative ka qenë gjithnjë firma ime dalluese dhe me goditjen e pandemisë, ishte e lehtë të rikonfiguroja dhe ushtrimet në kushte shtëpie, me pak ose aspak vegla.
Ushqyerja: Sigurisht një ushqyerje e duhur është pjesa themelore e të qenit të shëndetshëm. Mëngjesi im përbëhet nga vezë, ose tërshërë e përforcuar me proteina. Dreka është proteina si vezë, gjeldeti apo peshk si edhe perime të gjelbra. E përgatis proteinën më përpara për të mos ndërprerë rrjedhën e ditës. Darkave më pëlqen të gatuaj bashkë me partnerin. Me raste dalim nga shtëpia dhe shijojmë restorantet e parapëlqyer për të mbështetur bizneset vendase të Navy Yard-it, veçanërisht në këto kohë të vështira e sfiduese.
Joga dhe meditim: Drejtimi i një biznesi nuk më lejon të kem një agjendë të paracaktuar, Koncepti i punës 9 me 5 gjatë javë dhe fundjava, janë të huaja për mua, me ditën e punës që zgjat më shumë se 12 orë. Thënë këtë, përfshij pauza dhe pushime gjatë javës dhe shijoj kohë me miqtë dhe familjen. Besoj fort tek përfshirja e praktikave si joga dhe meditimi. Joga është aty ky trupi dhe mendja ime lidhen.
Covid: Gjatë këtyre kohëve, vihet në pikëpyetje edhe aftësia e njeriut për të kapërcyer sëmundje. Im atë luftoii me Covid për pesë javë në spital dhe po e merr veten ngadalë. Kështu të kontrollosh të kontrollueshëm dhe të vësh në përparësi shëndetin kur shëndeti ynë mendor e fizik janë në rrezik kanë qenë synimet për veten dhe komunitetin tim online dhe offline.
Zakonet: Kam krijuar një zakon të përditshëm të stërvitjesh, që më siguron t’i qëndroj regjimit. E di se stërvitja është terapia ime e përditshme, e mban trupin e shëndetshëm dhe mendjen të mprehtë e të qartë. Stërvitja më ka ndihmuar të kapërcej probleme si ankthi dhe depresioni dhe sigurohem ta kryej, më pëlqen apo jo. Sepse- le ta pranojmë, të gjithë i kemi ato ditët ku nuk duam të lëvizim as një gisht. Mund të deklaroj se stërvitja dhe ushqyerja e shëndetshme më ka ndryshuar jetën.
Gjatë adoleshencës kam vuajtur nga çrregullimet e të ngrënit, ndjekur nga depresioni dhe ankthi. Ushqimi ishte armiku im dhe kardio ishte arma për ta luftuar atë armik. Me ta kuptuar se ushqimi dhe ushtrimet mund të jetojnë lumturisht bashkë dhe të të ndihmojnë në një jetë, trup dhe mendje të shëndetshme, jo vetëm që e çlirova veten nga barra, por fitova fuqi të re, këmbëngulje dhe dashuri jetën.
Pasion në profesion: Jam me fat që kam transformuar pasionin në punën time të përditshme.Në fund të ditës, ajo çfarë dua më shumë është të kaloj ditën duke punuar për të ndihmuar të tjerët.
Ëmbëlsira: Ka gjithnjë vend për diçka të ëmbël, darkave. Nuk do të gënjej, që shpesh netëve kam neps për diçka të ëmbël. Zakonisht ha një banane me gjalpë bajamesh, që e kënaq atë dëshirë, por me raste ha pak akullore apo një copë çokollatë me lajthi, që është e parapëlqyera ime.
Motivimi: Në fund të ditës, nuk ka rëndësi sa e lodhshme ka qenë dita, ajo i kthehet thënies së preferuar për motivi “gjej përse-në tënde dhe mos ia ndaj më sytë”. Tënisësh çdo ditë me qëllim dhe dashuri për atë që bën është synimi më i mirë që të bën të ecësh përpara.

Guruja e Fitness-it, Krissy Cela
“Ti më solle në Britani dhe rrezikove gjithçka që unë t kisha jetën që ti kishë ëndërruar gjithnjë për mua. Më the të mos dorëzohesha kurrë dhe më inkurajove të ecja përpara pavarësisht sesa e vështirë mund të ishte. Të dua babi, përgjithmonë”, shkruan bloggerja e njohur e fitness-it, Krissy Cela. Ajo ka një komunitet besnik prej më shumë se 2 milion ndjekësish në
Instagram, Facebook dhe YouTube, të cilëve iu referohet si “familja” dhe një prej synimeve të saj është të jetë në gjendje të ndryshojë jetët e sa më shumë grave në të gjithë botën, veçanërisht të atyre që vijnë nga vende të vogla si ajo, që flet shpesh për rrënjët e saj shqiptar. Në janar të 2019-s ajo hodhi në treg aplikacionin e saj, Tone & Sculpt, që përfshijnë 500 ushtrime, një forum komuniteti dhe një planifikues vaktesh që mund të personalizohet për nevojat dietike të çdo përdoruesi.
Vetëm në gjashtë muajt e parë, aplikacioni arriti më shumë se 250 mijë shkarkime. Gjithashtu është autore librash mbi jetën dhe zakonet e shëndetshme. Krissy Cela është kthyer në një nga yjet më të mëdha të fitness-it në mediat sociale. Ajo zbulon sesi përqafimi i jetës së shëndetshme ka ndryshuar këndvështrimin e saj.
Kur e nise rrugëtimin me fitness-in?
Rreth pesë vjet më parë, ndërsa isha në fakultetin e Drejtësisë. Po kaloja një ndarje të vështirë. Më kishte sfilitur fizikisht dhe emocionalisht. Vendosa se më duhej të bëja një ndryshim për mirë. Doja të ndihesha e fuqishme dhe të sfidoja veten si kurrë më parë. Kështu e zbulova fitness-in. Jo vetëm që më ndrysho pamja e jashtme, por zbulova se isha më e fortë se kurrë, edhe mendërisht. Udhëtimi im me fitness-in nuk ndodhi brenda natës dhe kjo është e rëndësishme të kuptohet nga njerëzit. M’u desh të edukoja veten në fitness dhe ushqyerje, së bashku me shumë prova dhe gabime, për të arritur ku jam sot.
Cila është mënyra jote e parapëlqyer për të djersitur?
Në të shkuarën i shmangia gjithmonë ushtrimet kardiovaskulare. Ka diçka rreth ngritjes së peshave që më bën të ndihem e fortë dhe e fuqishme dhe kardio më dukej shumë e mërzitshme, kështu që e praktikoja në minimum.
Pak muaj më parë, vendosa të përfshija disa ushtrime kardio në rutinën time dhe u habita sesa shumë i shijova. Ushtrimet kardiovaskulare janë të shkëlqyer për të mbajtur zemrën të shëndetshme, në uljen e nivelit të stresit si edhe në djegien e atyre kalorive ekstra.
Si ka ndryshuar marrëdhënia jote me fitness-in, me kohën?
Ushtrohesha të paktën pesë herë në javë. Fillimisht të ndihesha mirë me veten, por gjatë rrugës, mbizotëroi dëshira e dukjes. Fitness-i u bë më shumë estetikë, sesa shëndeti i përgjithshëm.
Kërkesa fizike e trupit, bashkë me drejtimin e një biznesi dhe përpjekjet për markën personale , më bënë të ndihesha e dërmuar. Doja që fitness-i të përputhej me jetën dhe stilin e jetës, jo e kundërta. Kështu vendosa të bëja ndryshime të mëdha në mënyrën si stërvitesha.
Stërvitjet e mia tani konsistojnë në tri herë në javë. Një në pjesën e poshtme të trupit, në pjesën e sipërme dhe një stërvitje e plotë. Kjo më jep më shumë zhdërvjelltësi dhe aktualisht kam më shumë energji, në sesionet e mia stërvitore.
Cilat janë të domosdoshmet e çantës së palestrës, pa të cilat nuk del nga shtëpia?
Kufjet janë të pandara për mua, më ndihmojnë të ndihem në zonën time gjatë stërvitjeve.
Një listë e mirë këngësh mund të të rritë rezistencën, të të ngrejë humorin dhe të ulë stresin, kështu që kufjet janë thelbësore.
Mbaj me vete një deodorant natyral dhe vegan, shampo të thatë, peceta për fytyrën dhe balsam për buzët, kështu që ndihem e freskët gjithnjë. Një palë streçe rezervë dhe produkte femërore i mbaj në çantë për raste urgjence. Jam e sigurt se zonjat më kuptojnë. Kam pluhur aminoacidesh dhe proteina me e vete që më mbajnë të furnizuar gjatë dhe pas stërvitjeve.
Këshillat e Krissy-t
Rituali im i mëngjesit… zgjohem në 5:30, një orë apo dy para se të nis punën, për të pasur pak kohë për veten. Marr një kafe dhe dal për ecje me qenin tim Golden Retriever, Buttons, për të organizuar mendime e mia, mesatarisht eci rreth 8 mijë hapa. Telefoni ka uzurpuar jetën time kështu që në atë kohë të mëngjesit, qëndron në shtëpi. Kur kthehem ha një mëngjes të plotë, të pasur në proteina, si tërshërë me një lugë proteinë pluhur, fara lini, bajame, mjaltë dhe frutë.
Rutina e mbrëmjes është… Stërvitem për gjashtëdhjetë minuta rreth orës 5 pasdite, gjashtë herë në javë. E caktoj në ditar si një takim. Pastaj një dush dhe darka. Shijoj një çaj të nxehtë nenexhiku dhe e zhys hundën në një libër. Më pëlqen të lexoj rreth aplikacioneve digjitale dhe marketingut; këto lloj temash janë qejf për mua. E largoj celularin një orë para se të shkoj në shtrat.
Kujdesi për veten… Gjithnjë u them të dashurve të mi të kujdesen për veten përpara se të kujdesen për mua. Pa një kohë për veten nuk mund të jesh i dobishëm për ata rreth teje. Kam 22punonjës, drejtoj dy biznese [Tone and Sculpt app dhe Oner Active]. Jeta ime ka qenë në nxitim të madh, por qysh se jam përkushtuar në zgjimin herët dhe në kohën për veten, jam më e qetë.
Mantra…Shprehja ime e preferuar është “Bëje këtë për veten”. Sa herë kemi bërë gjëra për të marrë miratimin e dikujt tjetër? Në çastin që bëni diçka vetëm për veten dhe lumturinë tuaj, të ndryshon mënyrën e të menduarit. Mendojeni fitness-in si të dobishëm për shëndetin, sesa për pamje. Fokusi tek miratimin i të tjerëve nuk është i qëndrueshëm.
Më pëlqen të gatuaj…mëngjesin. Është vakti im i parapëlqyer sepse më bën gati për ditën. Si gostitje për veten, ha bukë të thekur pa maja me gjalpë të kripur, me pak spinaq të skuqur lehtë dhe dy vezë të skuqura. Disa lloje ushqimesh më kujtojnë fëmijërinë, si specat dhe patëllxhanët e mbushur të sime ëme. Një ditë erdhi me një pjatë plot me to dhe më kujtoi se jam rritur në Shqipëri.
Mënyra ime e relaksit… është të kaloj kohë me miqtë dhe familjen. Të qenit në median sociale gjatë gjithë kohës të lodh mendërisht, por të jesh rreth njerëzve që dua më sjell me këmbët në tokë.

Stërvitja për mua është…një sfidë. Gjatë pandemisë krijova palestrën time të vogël në shtëpi dhe kam parë rezultate më të mira duke u stërvitur me një hekur, gira, një top mjekësor dhe litar kërcimi, sesa nga përdorimi i pajisjeve të rënda të palestrës. Provoni me një palë gira, sepse mundësitë e stërvitja janë të pakufishme, por mbani mend se ushtrimet duhet të jenë sfiduese. Nëse bëni 12 deri në 15 përsëritje dhe ju duken lëvizjet tejet të lehta ,shtoni peshat. Nëse mundoheni shumë pas pesë apo gjashtë përsëritjeve, atëherë ulini peshat. Nuk ka rrugë të shkurtra në fitness- investoni në shëndetin tuaj. Ushtrimet ju injektojnë pozitivitet. A jeni penduar ndonjëherë që keni bërë stërvitje?
Numri 1 në listën time të mirënjohjes … është të jem në gjendje të ndihmoj sa më shumë gra, në të gjithë botën. Duke u rritur në Shqipëri, nuk kam pasur role modele në fitness – gratë që vishnin pantallona të shkurtra në palestër shiheshin shtrembër dhe në fillim im atë mendonte se ajo që po bëja nuk ishte e përshtatshme. Tani është mbështetësi im më i madh dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




