Analize

Abazoviç: Mali i Zi nuk do të bëhet as Sparta Serbe as Shqipëria e Madhe

Tërmet politik në Malin e Zi, pasi partitë e opozitës vendosën të bashkoheshin për të formuar qeverinë e re, duke bërë të mundur ndryshimin me rrëzimin e Milo Gjukanoviç për herë të parë në 31 vjet. Tensionet ishin të mëdha në sheshin qendror të Podgoricës mbrëmjen e së hënës, ku mbështetësit e qeverisë aktuale u përplasën me ata të opozitës.

Ky ndërrim historik pushteti do të kishte qenë i  pamundur nëse shqiptari Dritan Abazoviç, partia e të cilit mori katër mandate, nuk do të kishte zgjedhur të bashkohej me opozitën dhe jo me partinë e Gjukanoviçit. Megjithatë, rruga që do të marrë vendi fqinj është e mjegullt, duke e lënë Malin e Zi më të përçarë së kurrë mes Rusisë dhe Perëndimit.

Në fjalimet e tyre të para të hënën, Abazoviç i URA dhe liderët e Frontit Demokratik pro-serb dhe partisë Për të Ardhmen e Malit të Zi, kërkuan vazhdimin e rrugës së integrimin në Bashkimin Europian dhe bënë thirrje për pajtim kombëtar. Ata duket i zgjatën  një dorë votuesve të Gjukanoviçit, duke thënë se ishte koha për t’i dhënë fund përcarjeve.

Megjithatë, asnjë prej liderëve të këtyre partive nuk mundi ta fshihte se e vetmja gjë që i bashkonte ishte urretja për Gjukanoviçin. Fronti Demokratik u fut në zgjedhje me një aleancë të vetën: atë me Kishën Serbe dhe është forca politike me lidhjet më të forta me Beogradin. Partia Për të Ardhmen e Malit të Zi nga ana tjetër ka ndërtuar lidhje gjithnjë e më të forta me Moskën dhe njihet për qëndrimet anti-perëndimore. Lëvizja URA nga ana tjetër është pro-anëtarësimit në NATO dhe BE dhe ka një qasje më perëndimore se dy aleatët e saj të koalicionit.

Kjo është edhe arsyeja përse shumë zyrtarë të partisë së tij i kanë kërkuar të vërë si kusht për formimin e qeverisë marrjen e postit të kryeministrit.  Edhe pse partia e tij është më e vogla, roli i Abazoviç ka në kthesë historike që mund të marrë Mali i Zi është i patjetërsueshëm. Nëse mban një rol të fortë negociatori ai mund të jetë kryeministri i parë shqiptar i vendit fqinj, edhe pse lidhjet e tij me shqiptarët nuk duket të jenë  pika e tij e fortë.

Duke u dërguar një mesazh të fuqishëm Beogradit dhe Tiranës zyrtare ai deklaroi sot në një konferencë për shtyp se Mali i Zi nuk është Shqipëria e Madhe apo Sparta Serbe.

“Nuk do bëjmë kompromise me interesat kombëtare të Malit të Zi. Mali i Zi nuk do të bëhet as Sparta Serbe as Shqipëria e Madhe,” tha ai.

Ardhja në pushtet e një koalicioni pro-serb e bën të vështirë edhe qëndrimin e Malit të Zi ndaj pavarësisë së Kosovës, pasi dy partitë në koalicionin me Abazoviç janë kundër njohjes së saj.

Në Veri të Mitroviçës është festuar të dielën mbrëma rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, ku serbët e Kosovës kanë përshëndetur fitoren e opozitës malazëze.

Ata kanë festuar me fishekzjarrë, sirena dhe flamujve serb. Lajmin për festën në Mitrovicë e ka postuar në Twitter edhe drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric. “Krenar me serbët në Mal të Zi. Festë në Mitroviçë”, ka shkruar Gjuric.

 Vetë Abazovic ka deklaruar vazhdimisht se Mali i Zi ka bërë lëshime të mëdha në përcaktimin e kufirimit me Kosovën. Duke komentuar tensionet mes mbështetësve të Gjukanoviç dhe atyre të opozitës, Abazović i bëri thirrje presidentit të ndalte provokimet, duke thënë se dhuna i shkonte për shtat vetëm qeverisë në largim.

Presidenti Gjukanoviç pritet të propozojë mandatarin për kryeministër brenda 30 ditëve nga dita e konstituimit të parlamentit, por duke parë tensionet e deritanishme, formimi i qeverisë së re pritet të hasë në pengesa të shumta.

Këto zgjedhje ishin goditja më e rëndë në karrierën e Gjukanoviçit, i cili ka drejtuar Malin e Zi përmes kolapsit të përgjakshëm të Jugosllavisë në vitet 1990 dhe shpërbërjes së një shteti të përbashkët me Serbinë në 2006 dhe anëtarësimit në NATO në vitin 2017.

Duke u përpjekur të ruante optimizmin, Gjukanoviç u tha mbështetësve të tij të dielën vonë se DPS, si partia më e madhe, mund të sigurojë 40 deputetë në parlamentin me ndihmën e partive më të vogla, por pa partinë e Abazoviçit ai e kishte të pamundur të formonte shumicën.

“Regjimi ka rënë,” tha udhëheqësi i aleancës opozitare pro-serbe, Zdravko Krivokapic, para mbështetësve të tij. “Një ditë e re ka lindur në Malin e Zi “.

Malazezët që identifikohen si serbë, përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë prej 620,000 banorësh. Shumica e malazezëve dhe serbëve kanë një gjuhë dhe besimin e krishterë ortodoks, dhe shumë qytetarë serbë kanë rrënjë dhe familje në Malin e Zi.

Një qeveri pro-serbe, nëse formohet, mund të përpiqet të afrojë vendin fqinj më afër Serbisë dhe Rusisë, por pritet të vazhdojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Aleanca e opozitës mbështetet fuqishëm nga Kisha, e cila që nga dhjetori ka mbajtur ndër protestat më të fuqishme në Mal të Zi që nga rënia e ish-Jugosllavisë.

Gjukanoviç dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë kanë akuzuar Serbinë dhe Rusinë për përdorimin e Kishës dhe opozitës pro-Serbe për të minuar pavarësinë e Malit të Zi dhe orientimin e tij pro-perëndimor.

Liderët e opozitës dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë akuzuar prej kohësh Gjukanoviç dhe partinë e tij për lidhje me krimin e organizuar.

“Mali i Zi meriton të drejtohet nga një qeveri ekspertësh,” tha Dritan Abazoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë