Në fillim të punës së komisionit për vlerësimin e kandidatëve, në tavolinën dëng me emrat e kandidatëve të çfarëdollojshëm gjendej edhe një dosje me të dhënat e Jozefina Topallit.
Të dhëna të përgjithshme që dega e PD-së Shkodër kishte përcjellë formalisht ashtu si për gjithë kandidatët e tjerë. Sipër, në kryeradhë të faqes së parë edhe një shënim “I paplotësuar” .

Jozefina Topalli, (për arsyet që vetëm ajo i di), priti tre javë për të kthyer një përgjigje publike dhe jo përmes rrugës zyrtare se pse nuk e kishte plotësuar formularin.
“Partia nuk demokratizohet as me formularë e as me komisione,” u shpreh ajo.
Një procedurë në fakt që fillimisht për anëtarët e komisionit përfshinte edhe atë, (përjashtuar ish-kryetarët e partisë, ish-presidentët, ish-kryeministra), porse vetë anëtarët e komisionit përmes Enriketa Papës u detyruan që vetëm pesë ditë pas qëndrimit publik të Topallit të sqaronin (po publikisht) se ajo nuk përfshihej në radhët e atyre kandidatëve që duhet ta plotësonin, duke përmendur një udhëzim (që vetëm ata e dinë) se ajo nuk preket nga ky proces si ish-politikane e PD-së 10 vitet e fundit.
“Nuk e di se çfarë ka marrë në postën elektronike apo me njoftime në telefon zonja Topalli, por në dijeninë time është fakti se e gjithë pjesa e përfaqësuesve politikë të PD në 10 vitet e fundit janë përjashtuar nga ky formular 30 faqesh…”, tha Papa.
Një kakofoni qëndrimesh që sa duket i ka shkuar për shtat të dyjave palëve si PD-së se formalisht asnjë nuk përjashtohet apo ndihet i fyer nga procesi ashtu dhe Topallit për tu justifikuar para atyre që e votuan nga strukturat e Shkodrës edhe pse jo aq sa pritej.

Jozefina Topalli nuk e ka problemin me PD-në, por me kryetarin e saj Lulzim Basha, qyshse ai me një të rënë të lapsit, i vuri vizën emrit të saj në listën e kandidatëve për deputet, një natë të vonshme të majit, kur kishin kaluar të gjitha afatet e depozitimit të saj në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës
“Partia nuk demokratizohet as me formularë, as me komisione. LB (Lulzim Basha) ka përçarë e shkatërruar PD-në. Ai nuk beson në asnjë parim të partisë që lindi tre dekada më parë. Në këto kushte, nëse vërtet do donte largimin e Edi Ramës, LB duhet të largohet nga kryetari i partisë. Me një drejtim të ri të gjithë do bashkoheshin realisht pa formularë dhe pa komisione, dhe Rama nuk do të kishte më shans për të drejtuar vendin”, është shprehur Topalli.
Edhe Astrit Patozi (i larguar pa vullnetin e tij) nuk ka ndërmend që të kthehet në PD, të paktën për zgjedhjet e ardhshme.
Në krye të një partie të re “Bindja Demokratike”, Patozi është shprehur publikisht se ajo që e ndan me Lulzim Bashën në mënyrën e të bërit politik është e thellë.
“Jemi vite dritë larg në mënyrën sesi e shohim zgjidhjen për daljen afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë nga kriza. Është njësoj si të pyetet Lulzim Basha në do të vijë te Bindja Demokratike. Madje, pyetja për të mund të kishte më shumë logjikë, sepse ne kemi qenë të hapur për këdo, që në ditën e parë të krijimit, kurse PD e tij po pretendon se vetëm tani po përpiqet të shkrijë akujt e ta bëjë ‘detin kos’ për ata, që i përzuri me dru e po kërkon t’i rikthejë në vathë me komision”.

Ridvan Bode, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së nuk ka ndërmend që të lërë një pozicion të kënaqshëm në Bankën e Shqipërisë (të propozuar nga Rama në nëntor 2018) për t’ju kthyer halleve të PD-së e aq më shumë për t’i rritur kredencialet Lulzim Bashës.

Majlinda Bregu një tjetër figurë, që fillesat e angazhimit në PD i ka njësoj si Lulzim Basha, vijon të mbajë një detyrë të rëndësishme për katër vjet. E shkëputur nga PD (pa vullnetin e saj), në prill të 2018-ës asaj i besohet detyra e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e para shqiptare që mori një pozicion të tillë.
Bregut nuk i lejohet të flasë publikisht për politikën e brendshme në vend (përfshi PD) edhe pse jo zyrtarisht vëmendja e saj për partinë më të madhe në opozitë mbetet po aq kritike sa edhe më parë.

Bregu vijon miqësinë me figurat e larguara nga kreu i PD-së, si Topalli apo Patozi dhe ka po aq marrëdhënie korrekte me dy prej figurave që kanë pranuar ftesën e Lulzim Bashës në komisionin e vlerësimit të kandidaturave, Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj…
…Siç bëjnë më dije burime për gazetën “Si” asnjë prej ish-drejtuesve të PD nuk ka kontaktuar apo shfaqur interes për tu rikthyer në Partinë Demokratike

E ardhmja e Genc Rulit me politikën është paracaktuar me vullnetin e tij këtu e katër vjet më parë kur në një ditë dimri ai i tha Lulzim Bashës në zyrë që të mos e propozonte për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.
I angazhuar ethshëm në komisionin për Verifikimin dhe Vlerësimin e kandidaturave, Ruli sqaroi fjalëpak për mediat se pse ai vendosi të kthehej në partinë e drejtuar nga Lulzim Basha për të cilin vetëm tre vjet më parë (pas humbjes së PD) kishte propozuar që ta përzinin nga zyra nëse nuk jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit.
“Unë vetë jam një njeri që kam pasur tre vjet më parë qëndrime mjaft kritike ndaj lidershipit dhe z. Basha, për arsye se i gjykoja ndryshe proceset se si duhej të ishin zhvilluar proceset në atë kohë dhe besoj që edhe kjo ftesë që mu bë mua, një nga njerëzit kritikë, është pikërisht shenjë e pjekurisë dhe mëndje hapjes së PD-së sot”, është shprehur ai
Besnik Mustafaj është një tjetër “veteran” i parë ngahera si një figurë paqësore në PD.
Mustafaj mund të jetë ndër të paktë figura ndër vite në PD që shihet më pranë Lulzim Bashës, edhe pse vetë ai është shprehur se nuk ka asnjë interes politik për të ardhmen e tij në PD…
…Të larguar që nuk kthehen më, dhe të rikthyer që publikisht flasin për mos angazhim partiak në të ardhmen. Panorama politike e PD-së nuk ka ndryshuar dhe as ka gjasa të ndryshojë…Të paktën së afërmi…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje