Për herë të parë pas 30 vitesh, Milo Gjukanoviç e ka gjetur vetën këtë të hënë më pranë së kurrë humbjes së pushtetit në Mal të Zi.
Tri koalicionet opozitare në vendin fqinj kanë fituar shumicën, duke i dhënë një goditje të rëndë partisë në pushtet, Social-Demokratëve. Koalicioni “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazovic, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga 81.
Megjithatë, rezultatet paraprake, bazuar në numërimin e 95% të votave, kanë përplasur ashpër opozitën dhe qeverinë, të cilat kanë shpallur të dyja fitoren.
Partia e Gjukanoviçit fitoi 34.8 për qind të votave të hedhura, ose 29 nga 81 vendet në parlament. Ndërkohë, partia kryesore pro-serbe e opozitës fitoi 32.8 për qind të votave, ose 27 vende.
Ky rezultat mund t’u japë si opozitës edhe qeverisë mundësi për të formuar qeverinë, por paraqet një goditje të rëndë për presidentin e Malit të Zi, Gjukanoviçin.

Ai nuk po garonte personalisht në zgjedhje, por ishte ende fytyra e partisë së tij gjatë fushatës. Dhe ishte vendimi i tij për t’u futur në luftë me Kishën Ortodokse Serbe, i cili u dha kundërshtarëve të tij shansin për të deklaruar se ata kishin Zotin në anën e tyre.
Përfshirja e Kishës mund të ketë inkurajuar pjesëmarrjen e lartë prej më shumë se 75% te zgjedhësve në votime. Dhe shumë votues duket se i kanë dëgjuar këshillat e peshkopëve për të votuar për kundërshtarët e një qeverie e cila miratoi legjislacionin që bën të mundur që shteti të kërkojë pronën e Kishës.
Kjo ka hapur derën e mundësisë së parë të transferimit të pushtetit të Malit të Zi përmes votës. Sigurisht do të jetë e vështirën që partitë opozitare pro-ruse dhe pro- serbe të formojnë një koalicion qeverisës. Por një ndryshim i qeverisë pas gati 30 vjet do t’i dërgonte botës një mesazh të fortë në lidhje me Malin e Zi.
Megjithatë, partia e Gjukanoviçit shprehu pretendime të kundërta, duke thenë se kishte fituar votën dhe do të formonte qeverinë e ardhshme. Deputetja e DPS-së Nela Savkoviç këmbënguli se partia në pushtet mund të formonte një administratë tjetër me ndihmën e partnerëve të saj tradicionalë politikë midis partive të pakicave, të cilat garuan në mënyrë të pavarur në zgjedhje.
Nëse shqiptarët dhe boshnjakët vendosin të bashkohen me një qeveri të udhëhequr nga Gjukanoviç, partia do të jetë në gjendje të formojë një qeveri të re. “Ne po u bëjmë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të presin rezultatet përfundimtare. Atëherë ne mund të festojmë së bashku fitoren” tha Savkovic për mediat.
Sidoqoftë, udhëheqësi i koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” Zdravko Krivokapic tha se regjimi i Gjukanoviç kishte rënë dhe ekipi i tij kishte fituar.
“Edhe pse kemi pritur 45 vjet për lirinë tonë, ju lutemi qëndroni në shtëpi dhe festoni me dinjitet me ju miqtë dhe familjet,” u tha Krivokapic mbështetësve.
Monitoruesit e zgjedhjeve raportuan më shumë se 770 parregullsi në votimet e së dielës, duke hedhur akuza për blerje votash dhe presion politik mbi votuesit. Në kryeqytetin e Podgoricës dhe në qytetin Rozaje, votuesit u kapën duke fotografuar fletët e tyre të votimit. Sipas mediave malazeze, pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë duke arritur në 75.9 për qind, kur votimet u mbyllën në 8 pasdite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




