Turqia ka kërcënuar se do të pezullojë marrëdhëniet e saj diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe një ditë pasi vendi arab njohu zyrtarisht Izraelin si shtet duke vendosur marrëdhënie diplomatike me të.
Reagimi i ashpër erdhi nga Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan gjatë një komunikimi me gazetarët.
Ai tha se kishte njoftuar ministrin e tij të jashtëm se "ne mund të bëjmë një hap në drejtim të pezullimit të lidhjeve diplomatike me udhëheqjen e Abu Dhabi ose tërheqjen e ambasadorit tonë atje".
Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën një marrëveshje historike paqeje që do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të Lindjes së Mesme.
“Marrëveshja Abraham" është marrëveshja e tretë e paqes mes Izraelit dhe një vendi arab që nga shpallja e pavarësisë së Izraelit në vitin 1948.
Një marrëveshje e sponsorizuar me shumë ngulm nga presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili tha se në shenjë paqeje, Izraeli do të pezullonte zbatimin e sovranitetit në zonat e Bregut Perëndimor për të cilat kishte diskutuar aneksimin.
Marrëveshja e paqes është produkt i diskutimeve të gjata midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat u përshpejtuan kohët e fundit.
Marrëveshja u nënshkrua përmes një telefonate të enjten mes Presidentit Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sheikut Mohamed Bin Zayed, princi i kurorës së Abu Dhabit
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga të tre vendet thuhej se të tre udhëheqësit kishin “rënë dakord për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”.
“Ky hap diplomatik historik do të avancojë paqen në rajonin e Lindjes së Mesme”, thuhej në deklaratë.
Ndërkohë, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u takua me këshilltarët e tij të lartë të enjten vonë. Zëdhënësi i tij e quajti marrëveshjen "tradhti" dhe i kërkoi Emirateve të Bashkuara Arabe që të anulonin marrëveshjen. Zëdhënësi u bëri thirrje vendeve të tjera arabe të mos e ndjekin këtë shembull "në kurriz të të drejtave palestineze".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.