Lajme

Ministri Xhafaj, vlerësim pozitiv për Policinë e Shkodrës

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kanë zhvilluar një takim me strukturat e Policisë Vendore Shkodër. Gjatë këtij takimi, ministri Xhafaj ka vlerësuar punën e Policisë së Shkodrës në parandalimin e disa ngjarjeve kriminale të fundit në këtë rreth, gjithashtu ka pasur edhe porosi për çështjen e aksidenteve.

“Vlerësim pozitiv për punën e strukturave të Policisë Shkodër. Ju inkurajoj për gjithçka po bëni, me gjithë vështirësitë që keni në punën e përditshme. Keni një vlerësim të veçantë për reagimin policor në parandalimin e disa ngjarjeve të fundit në Shkodër, të cilat kanë rritur klimën e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit. Ajo që kërkoj janë masat shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut të rënduar për shkak të sezonit veror dhe në Pikat e Kalimit Kufitar”, u shpreh ministri Xhafaj.

Nga ana tjetër, edhe Drejtori Vendor i Policisë, Vehbi Bushati, tha se situata e kriminalitetit në qark është nën kontroll dhe ka ulje me 10% krahasuar me 1 vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë