Art dhe Kulture

Arti dhe kultura në “epokën” post-Covid

Pandemia e COVID-19 ka sjellë ndryshime në mbarë botën, duke prekur të gjithë sektorët e jetës. Arti dhe kultura sigurisht janë ndër më të prekurit.

Ndërkohë që vendet ende nuk kanë dalë nga kriza e koronavirusit, një nga pyetjet që shtrohet është se si do të ndihmojnë mësimet nga kriza e COVID-19 në ndërtimin e një vizioni strategjik për të ardhmen e artit dhe kulturës.

Gjatë muajve të fundit edhe arti dhe kultura në Shqipëri është përballur me sfida të rëndësishme të menjëhershme: jo vetëm në përgjigje të distancës sociale dhe masave të bllokimit, që prekin vendet e shfaqjeve artistike, programimin artistik dhe angazhimin e audiencës, por edhe për sa u përket presioneve afatgjata të pasigurisë, sidomos asaj financiare.

Tashmë prej muajsh të gjithë artistët dhe organizatat artistike dhe kulturore ndodhen në presion, ndërkohë që shumë prej tyre duhet të luftojnë për të mbijetuar. Ata që preken më së shumti nga kjo situatë janë sidomos artistët e pavarur.

Për aktorin Xhino Musollari, artistët e pavarur janë krejtësisht të pambrojtur dhe të papërkrahur në këtë situatë.

“Kam mbaruar Akademinë e Arteve në vitin 2015 dhe që prej atij viti e kam ushtruar profesionin në mënyrë të pavarur. Kam qenë pjesë e audicioneve dhe që atëherë kam punuar në mënyrë private. Jam munduar që çdo punë ta meritoj, por në situatën e sotme nuk ka shfaqje e as koncerte muzikore dhe fatkeqësisht e shohim veten si komunitet shoqëror, që nuk figurojmë në asnjë lloj neni të Republikës së Shqipërisë. Shtresa jonë si komunitet artistësh të pavarur nuk e sheh veten të përfaqësuar në asnjë pikë të kushtetutës”, shprehet Musollari.

Të njëjtën problematikë e pohon edhe aktori Aldion Matarangasi, i cili shprehet se situata është e komplikuar dhe se artistët e pavarur funksionojnë vetëm përmes kontratave.

“Në çdo pagesë mbahet 15 përqindëshi nga shteti. Duke funksionuar me kontrata në periudha të tilla automatikisht dalim jashtë çdo pagese”.

Balerina Rosella Pelliçioti, gjithashtu artiste e pavarur, thekson se një nga problemet më madhore është pamundësia e këtij grupi artistësh për t’u regjistruar.

“Nuk jemi të siguruar, nuk figurojmë askund. Jemi një zonë gri, që nuk punojmë as në të zezë, se kontratat që firmosim janë ligjore, por nuk jemi të punësuar dhe nuk kemi mundësi të regjistrohemi në profesionin që bëjmë. Ky është një handikap i ligjit, që duhet të rregullohet. Ndërkohë që probleme të tjera ekzistojnë edhe me fondet dhe shumën e fondeve që jepen”, vëren Pelliçioti.

Në një të ardhme të afërt shumica e njerëzve dhe aktivisitëve kulturorë duhet të përshtaten dhe t'i përgjigjen klimës së ndryshimit të shpejtë të COVID, ndërsa ndikimet e mundshme afatgjata në një lloj kuptimi ofrojnë hapësirë për spekulime.

Por në ç’mënyrë artet dhe drejtuesit kulturorë po përgatiten të përshtaten me “normalitetin e ri”?

Ndikimet pozitive

“Mendoj se jo vetëm arti do të pësojë rishqyrtim dhe rivlerësim në këtë periudhë pandemie dhe periudhën që vjen pas saj. Mendoj se çdo njeri, i përballur kështu, në mënyrë të dhunshme me pasivitetin, izolimin dhe në fund të fundit, vdekjen bën në mënyrë të paplanifikuar një rifillim. Familja pati hovin e vet, do thosha.

Aty ku prisnim rritje të dhunës dhe kriminalitetit, pamë një hov në përmirësimin e marrëdhënieve mes njerëzve. Njerëzit u bënë më pak ‘sipërfaqësorë’, tanimë nuk kishte rëndësi dukja, por mbështetja e thelbit të gjithsecilit. Ne kuptuam se kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ndoshta, mes dhjetë ligjeve të ‘Moisiut’, jo pa qëllim katër kanë të bëjnë me adhurimin e Perëndisë dhe gjashtë të tjerët kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërnjerëzore”, shprehet aktorja Klodjana Keco.

Ndërsa për sa i përket artit, ajo mendon se tashmë i kishte ardhur koha për një rigjetje të vetes, të funksionit thelbësor të tij dhe epoka e pandemisë vetëm sa ia bëri më të pashmangshëm ridimensionimin.

Galeritë, Teatrot, Festivalet e Filmave filluan të përqafojnë ‘Digjitalizimin’, tanimë filluan të funksionojnë platformat ‘online’, të cilat u klikuan, u gjetën donatorë. Ndërsa arti humbi një audiencë, por fitoi një audiencë tjetër më të re, që sipas Kecos është në fakt publiku i së ardhmes.

Të gjithë institucionet artistike filluan të kërkojnë mënyra të tjera arritjeje publiku. Nëse i referohemi vendit tonë, krahas transmetimeve ‘live’, shohim edhe kërkimin e alternativave ‘skenike’, ku nuk shkon më publiku në Teatër, por Teatri shkon tek publiku: në park, në lokal, në restorant.

“Sigurisht që këto forma kanë kohë që kërkohen në vendin tonë, por tanimë ky aplikim i formave ‘eksperimentale’ ishte shumë më funksional.

Mendoj se nuk do të kthehemi kurrë më aty ku ishim. Mendoj se ky ‘ridimensionim’ do të vazhdojë të aplikohet edhe kur bota t’i rikthehet ‘normalitetit’. Ky ‘kërkim’ formash të reja artistike do të vazhdojë të na furnizojë me gjetje të reja”, thotë Keco.

“Teatër në epokën e izolimit”

Një shembull për t’u përmendur në këtë drejtim është gjetja e Teatrit Metropol, “Teatër në Epokën e Izolimit”. 

“Një formë e re, e cila shkon në pikën nevralgjike të kufizimeve të pandemisë”, komenton aktorja Keco.

Ndërkohë që teatër në formën klasike nuk bëhej dot, Keco përmend edhe një nismë të Teatrit Korçë, që rievidenton Poezinë e xhiruar.

“Edhe kjo iniciativë e Teatrit Korçë i krijoi ndjekësit e vet. Shfaqjet e xhiruara ‘live’ nga Teatro të ndryshëm dëshmuan se Teatri më së shumti ka vlerë ‘drejtpërdrejt’, leximet e tjera vetëm sa pasuruan forma tashmë të aplikuara nga emisione ekzistuese televizive, atëherë lipsej një tjetër rrugë”, shton ajo.

Pikërisht në këtë moment erdhi edhe “Monolog” nga teatri “Metropol”. 

Bëhet fjalë për shtatë episode/akte me 30 monologë nga komeditë dhe tragjeditë e Shekspirit, të punuar nga artistët dhe kolegët bashkëpunëtorë të teatrit Metropol gjatë periudhës së karantinës.

Janë veprat “Romeo e Zhuljeta”, “Rikardi III”, “Nata e 12”, “Ëndrra e një nate vere”, “Hamlet” “Makbeth” , “Mbreti Lir”, “Otello”, “Tregtari Venedikut” “Jul Cezari”, “Shumë zhurmë për asgjë”, etj nga të cilat janë përzgjedhur 30 monologë nga personazhe të njohura të këtyre veprave.

“Është një formë e patrajtuar, së paku me aq informacion sa kam unë, në Shqipëri. Një formë mes Teatrit dhe Kinemasë, mes modernes dhe ajkës së klasikes e njëkohësisht universales, Shekspirit”, shprehet aktorja Keco.

Monologët e zgjedhur trajtojnë tema të përbotshme, si: dashuria, loja, xhelozia, humbja, tradhtia, pushteti, hakmarrja, ku gjithsecili gjen veten në to, marrë nga personazhe si Romeo e Zhuljeta, Orsinjo, Olivia, Merkuti, Viola, Beatrice, Paku, Edmond, Otello, Titania, Kostanca, Kordelia, Ofelia, Hamleti, Glauster, Desdemona, Emilia, Bruti, Mark Antoni, Rikardi III, Ledi Makbeth, Shajlok, Jago, Oberoni, Portia etj. 

Monologu është për çdo aktor çasti më intim dhe njëkohësisht më i izoluar në skenë, kur përballet jo vetëm me publikun, por edhe me vetveten. Ky izolim na zhvesh nga çdo mburojë dhe na detyron, (ashtu si dhe përvoja e karantinës në muajt e fundit), që të përballemi me të vërtetat më të thella të vetvetes dhe të natyrës njerëzore. 

“Monolog: Teatër në Epokën e Izolimit” është, pas 400 vjetësh, përpjekja jonë për të gjetur brenda personazheve të Shekspirit të vërtetat universale që ai gdhendi në ta. Si do të ishin këta njerëz në botën e sotme? Në përditshmërinë tonë? Në lagjet tona? Në familje? Si duket në njerëzit e ditëve tona dashuria, loja, xhelozia, humbja, tradhtia, ambicia, hakmarrja?”, thuhet në lidhje me këtë projekt nga artistët e Teatrit Metropol.

Këta monologje, të cilët janë punuar dhe xhiruar për më shumë se një muaj duke nisur nga e enjtja e datës 18 qershor, ora 19:00 po transmetohen në platformat online të Teatrit Metropol, si në kanalin e youtube apo edhe në Facebook dhe Instagram #TeatriMetropol.

Monologjet janë të trajtuar në mënyrë sa më urbane dhe janë regjistruar përgjatë një muaji duke iu përshtatur edhe kushteve aktuale. Ata po transmetohen çdo javë me seri me nga 5 monologje përgjatë këtyre muajve verorë.

Për këta monologje kanë punuar mbi 16 aktorë, kryesisht aktorët e Teatrit Metropol, por dhe aktorë të jashtëm, si:  Klodjana Keco, Armela Demaj, Roerd Toçe, Sonila Kapidani, Amri Hasanlliu, Edvin Mustafa, Xhino Musollari, Klea Konomi, Rozi Kostani, Elona Hyseni, Ketjona Pecnikaj, Margent Caushi, Silvio Goskova, Ermir Jonka, Florian Agalliu etj.

Ndërkohë që arti dhe artistët po kalojnë nëpër sfida të ndryshme dhe disa kanë qenë në gjendje të përshtatin aktivitetet e tyre, online përmes internetit, po ashtu edhe jashtë internetit në komunitetet lokale, për shumë vetë ato çfarë dukeshin si modelet më të përshtatshme përpara pandemisë tani mund të jenë më të rrezikshmet.

E vërteta është se derisa situata të stabilizohet, do të vazhdojë të ketë implikime të thella për përshtatjen me punën, marrëdhëniet dhe partneritetet në të gjithë ekosistemin kulturor. Kuptimi i këtyre tendencave të menjëhershme do të jetë i rëndësishëm për përgjigjen nga politikëbërësit, financuesit dhe vetë praktikuesit në fushën e artit dhe kulturës.

Margariti: Artistët të drejtohen kah vetja

Në një kohë kur kriza ka përshpejtuar digjitalizimin dhe konsumin online të artit dhe kulturës, duke krijuar sfida të reja dhe të pashembullta për larminë e shprehjeve kulturore, tani, më shumë se kurrë, statusi i artistëve duhet të mbështetet dhe forcohet përmes mjeteve legjislative dhe materiale.

Por përtej kësaj ndihme, për ministren e Kulturës, Elva Margariti, vetë artistët, ndërsa flet posaçërisht për artistët e pavarur, duhet të ndryshojnë mendësinë e tyre dhe të jenë të gatshëm të paraqesin programe disavjeçare me projekte, që duhet të tregojnë sipas saj qëndrueshmëri, si dhe të tregojnë se si do të rritet numri i performancës, i bashkëpunëtorëve, i të punësuarve dhe i të rinjve që do të përfshihen në projekte. 

“Artistët e pavarur gjithmonë kanë kërkuar mbështetje ekonomike prej Ministrisë për mbështetje të aktiviteteve të tyre. Këtë vit riformuluam mënyrën e mbështetjes për të krijuar një program më të qëndrueshëm dhe për të ndryshuar mendësinë e këtyre artistëve që aplikojnë, që të mos jenë ishuj të vetmuar arti, por të krijojnë mënyra bashkëpunimi edhe me artistë të tjerë, jo vetëm në qytetin ku jetojnë, por edhe në qytete të tjera. Kemi favorizuar një shtyllë të re, që është mbështetja e projekteve digjitale në promovimin e artit dhe kulturës. Pas kësaj pandemie, artistët duhet të mësojnë të ndryshojnë mendësinë e tyre dhe të mendojnë si mund të riformulojnë dhe gjejnë më tepër mbështetje. Mbështetja e projekteve digjitale do të krijojë edhe mundësi të madhe promovimi për ta, jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon”, shprehet Margariti.

Ndërkohë që komunitetet artistike dhe njerëzit brenda tyre janë të hidhëruar, të izoluar dhe duke luftuar me pasigurinë, kjo është një kohë e vështirë me pyetje sfiduese. Por ka edhe mundësi të qarta që do të shfaqen në peizazhin social dhe ekonomik pas-COVID. Përdorimi i njohurive dhe mësimeve nga COVID-19 mund të ndihmojnë në ndërtimin e një ekosistemi kulturor më të përgjegjshëm, elastik dhe bashkëpunues, ndërsa shikojmë drejt së ardhmes.

Në botë

Një sondazh zbulon se 95 për qind e artistëve kanë humbur të ardhurat për shkak të COVID-19. Fondi i ndihmës emergjente Artist Relief në SHBA i ka bërë publike këto të dhëna nga sondazhi i tij i ri, që vlerëson sesi artistët preken nga COVID-19. Rezultatet pikturojnë një pamje të zymtë, pasi 95 për qind e të anketuarve raportojnë humbje të të ardhurave për shkak të pandemisë. Rezultatet e sondazhit, të cilat theksojnë se 62 për qind e artistëve janë bërë plotësisht të papunë për shkak të COVID-19 demonstrojnë realitetin jashtëzakonisht të ashpër financiar me të cilin përballen artistët në krizën aktuale. Gjetjet shtesë tregojnë se 66 për qind e artistëve nuk janë në gjendje të përdorin burimet e nevojshme për punën e tyre dhe 80 për qind nuk kanë një plan për t'u rikuperuar pas krizës. / Blerina Goce

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë