Ne rrjet

Greqia nuk i hap kufijtë në 1 korrik

Ndonëse u tha se Greqia vendosi të hapë kufijtë me Shqipërinë pas datës 1 korrik, lajmërimi i fundit në Ambasadën Greke njofton se kalimi në vendit fqinj do të lejohet vetëm për grupe të kufizuara qytetarësh.

Në statusin e publikuar thuhet se edhe pas datës 1 korrik do të lejohet hyrja e personave nga Shqipëria vetëm se rast se janë qytetarë grekë, ata që posedojnë lejen e qëndrimit si dhe të tjerë që kanë banesat e tyre në Greqi. Kjo do të thotë se vendi fqinj nuk do t’i hapë kufijtë për turistët, ashtu siç ishte përfolur ditën e djeshme.

“Sipas udhëzimeve evropiane për hapjen e kufijve të BE-së dhe vendimeve respektive zbatuese të Greqisë (ΦΕΚ Β’ 2283/14.06.2020), në lidhje me udhëtimet nga Shqipëria për në Greqi, parashikohet mundësia e realizimit të fluturimeve drejt aeroportit "Eleftherios Venizellos" të Athinës. Nuk lejohet hyrja e personave nga Shqipëria për në Greqi përmes linjave detare, rrugore apo hekurudhore. Përjashtohen: a) Qytetarë Grekë, posedues të Kartës së Veçantë të Identitetit të Homogjenit, poseduesit e lejeve të qëndrimit, si dhe persona që kanë banesën kryesore të tyre apo që qëndrojnë zakonisht në Greqi, b) kalimi i kamionëve për transport mallrash, c) transporti i mallrave me anije, d) hyrja e personave nëpërmjet kufijve tokësorë, për lëvizje absolutisht të nevojshme të karakterit profesional, të cilat i faktojnë me dokumentat përkatëse. Ky regjim lëvizjesh pritet të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas datës 1 korrik. Ambasada e Greqisë në Tiranë do të lajmërojë menjëherë me njoftim të saj, për çdo ndryshim që mund të rezultojë", shkruhet në njoftimin e ambasadës.

https://www.facebook.com/GreeceinAlbania/posts/1662000857284881

Por edhe për këto kategori, nesër, kur data të shënojë 1 korrik, në doganën e Kakavijës portat nuk kanë për t'u çelur për kalimin e udhëtarëve shqiptarë drejt Greqisë.

Kryetari i Qarkut të Janinës Aleksandros Kahrimanis, ka kërkuar prej zëvendës ministrit të mbrojtjes sociale Nikos Hardalias që të anulojë për nesër çeljen e kufirit në Kakavijë, pasi infrastruktura nuk është gati në territorin grek. Duket se arsyeja kryesore për Karhrimanis është mungesa e tuneleve dezinfektues në pjesën greke të Kakavijë, çfarë është e rekomandueshme dhe e domosdoshme në bazë të protokolleve anti Covid-19, të ndërmarrë nga qeveria greke me vendim të posaçëm për të gjithë shtetasit shqiptarë që do të hyjnë në territorin grek.

Duket se kërkesa e Kahrimanis, është pranuar nga zyrtari i qeverisë greke çfarë do të thotë se nesër kufiri me Greqinë në Pikën Kufitare të Kakavijës do të qëndrojë i mbyllur deri në një afat të dytë. Kjo varet nga instalimi i tuneleve dezinfektues që deri më tani mungojnë në palën greke. 

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë