Për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri beteja me gjyqësorin nis nga e para. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendos të rikthejë për gjykim dosjen e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policise së Vlorës, Jaeld Çela.
Gjykata e Apelit vendosi të rikthejë për gjykim dosjen duke rrëzuar vendimin që e shpallte fajtor për shpërdorim detyre, dhe e dënonte me 3.5 vite burg e konvertuar në tre vjet shërbim prove, ndërsa Jaeld Çelen me 5 vite burg.
Çështja do të rigjykohet nga Struktura e Posaçme e Antikorrusionit dhe Krimit te Organizuar, SPAK.
Përfaqësues të ambasadës amerikane kanë qenë të pranishëm në seancë, ndërsa raportohet se për këtë çështje do të flasë edhe Tahiri.
Prokuroria kërkoi 12 vitë burg për ish-ministrin. Më herët seanca u shty pasi anëtari më i ri i trupës gjykuese të çështjes, Dhimitër Lara kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen.
Ish gjyqtarja e kësaj dosje Nure Dreni u rrëzua nga shkalla e parë e Vetingut për disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se nuk e priste këtë vendim dhe se donte që pas 3 vitesh kjo histori të merrte fund.
“Jo nuk e prisja, mendoja që pas thuajse 3 vitesh historia do merrte një drejtim cilido qoftë. Rikthimi në pikën zero është padrejtësi në vetvete....
Mua realisht nëse ka dhe një njeri të dytë në Shqipëri që zvarritet kështu gjykatave më vjen ndot e turp për detyrat që kam mbajtur si deputet e gjithçka.
Nëse ka një shqiptar të dytë e padiskutim që ka, më vjen ndot e turp.
Totalisht e pakuptimtë për mua që të vazhdojë kjo histori prej 3 vitesh... Nuk kam asnjë emocion tani përveç domosdoshmërisë sime për të shkuar para...”, tha Tahiri.
Ajo që është e sigurt për Tahirin është se beteja për të nis nga e para. Ai nuk mund t’i jepte interpretim tjetër çështjes sa kohë nuk ishte njohur me vendimin e plotë të Apelit.
“Duhet të shoh vendimin, unë si Ministër i Brendshëm, i drejtoja presidentit çdo javë një shkresë me emra konkretë gjyqtarësh dhe prokurorësh që kishin shkelur ligjin, e bëja publikisht jo nën rrogoz, siç në politikë kam qenë i hapur, i drejtpërdrejtë, nuk kam bërë asnjë kompromis me askërkënd në kurriz të asaj që kam besuar, unë në këmbë do të jem prapë, i lirë ose jo...”, tha ai.
A beson ai tek SPAK?
“Të njëjtët ishin, me vetting janë, nuk kam asnjë opinion për këtë, mua më intereson drejtësia, kam luftuar ndonëse pa asnjë diskutim kam bërë gabime, i jap të drejtë gjithkujt që thotë, që ky nuk futet në burg, ky kështu, ky ashtu, ju garantoj nuk kam bërë asnjë faj, ju garantoj kam kusuret e mia pa asnjë hesap”,
Për çfarë kusuresh fliste?
“I referohem vetes sime, por kurrë nuk kam bërë faj. E kam ndjekur procesin me korrektesën më maksimale duke ikur nga deputetllëku, për t’u përballur si qytetar... Ia ka vlejtur të përballem si qytetarë, jo si pushtetarë, këmbët e mia më mbajnë edhe pa pushtet”.
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.