Analize

Demokraci? Jo, Europa do vetëm stabilitet në Ballkan

Po sikur politikanët e BE-së të ndalonin së mbështeturi liderët autokratë në Ballkanin Perëndimor sa herë që fitonin zgjedhjet pa opozitën me grup të ri premtimesh boshe?

Pasi Partia Progresive në Serbi triumfoi me një fitore të jashtëzakonshme në zgjedhjet parlamentare të dielën, disa liderë europianë nuk nguruan të ofronin urimet e tyre. Zyrtarët europianë u sollën sikur të ishte normale që të gjitha partitë e opozitës të mos merrnin pjesë në zgjedhje dhe që të votuesit duhet të zgjidhnin mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç ose aleatëve të tij në pushtet. Ata injoruan po ashtu faktin se ai dhe partia e tij kontrollojnë institucionet e vendit dhe organizatat e mediave dhe shfrytëzoi krizën e koronavirusit për të goditur më tej opozitën, duke shkelur edhe më shumë të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Ajo që cilësohet si anti-demokratike në një regjim si Rusia apo Turqia konsiderohet nga Brukseli zyrtar si disi e pranueshme kur ndodh në Ballkanin Perëndimor. Ish-Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ishte i pari që ka dërguar urimet e tij, duke thënë se rezultati “është dëshmi e besimit të qytetarëve tek presidenti” dhe duke i kërkuar Vuçiçit të “shfrytëzojë këtë sukses për rrugën europiane të Serbisë dhe për të mirën e njerëzve.  Kancelari austriak Sebastian Kurz ishte gjithashtu në mesin e atyre që uruan.

Por ajo që i bëri ekspertët të kthenin kokën ishte kur përfaqësuesit e BE-së deklaruan se zgjedhjet respektuan liritë dhe të drejtat themelore, edhe pse siç u shprehën ata zgjedhësit nuk kishin mundësi të zgjidhnin për shkak të bojkotit nga opozita. Ky qëndrim me dy standarte, e bën të qarte së zgjedhjet monopartiake si ato të 30 qershorit në Shqipëri dhe ato parlamentare në Serbi janë të papranueshme për BE-në, por jo për Ballkanin.

Edhe gjatë zgjedhjeve lokale në Shqipëri, Brukseli mbajti një qëndrim të butë. Ky precedent që nisi nga vendi ynë dhe paaftësia e BE-së për të vënë “vijën e kuqen”, duket se po dërgon edhe një mesazh edhe për vende të tjera në rajon: Europa do vetëm stabilitet!

Për më shumë se një dekadë, përfaqësuesit e BE-së kanë ndjekur të njëjtën manual të gjymtuar. Ata predikojnë rëndësinë e vlerave të BE-së, demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin perëndimor, edhe pse ata mbështesin politikanë si Vuçic, i cili i trajton këto vlera të njëjta me përçmim.

Ato që BE i quan “shtete të dështuara” janë në të vërtetë shtete që zyrtarë europianë i kanë lënë në baltë. Kontrolli shtrëngues i Vuçiçit mbi Serbinë nuk ndodhi brenda natës. Ai u ndërtua në një dekadë, gjatë së cilës ai u përqafua si shpresa e BE për një Serbi Evropiane.

Kuptohet, mesazhet  e përziera të BE-së kanë kontribuar në dështimin e reformave, duke çuar në një erozion të besimit në BE në Serbi dhë ne rajon, ku qeveritë perëndimore kanë “bërë një sy qorr” ndaj sjelljeve jodemokratike në emër të stabilitetit politik.

E megjithatë, liderët europianë shfaqen të habitur hera-herës, kur ndonjë raport tregon vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë bërë përparim në reformat demokratike, dhe e etiketojnë rajonin “një bombë me sahat “, i cili nuk është gati të anëtarësohet në BE. Shembulli i fundit ka ardhur nga presidenti Emmanuel Macron, i cili ka bllokuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke thënë se të dyja vendet kanë probleme të mëdha me sundimin e ligjit.

Arsyeja pas këtyre qëndrimeve kontradiktore nuk është një mister: quhet hipokrizi evropiane.

“Nëse BE vazhdon të portretizojë një pamje të zbukuruar të situatës në Serbi dhe të përdor një gjuhë të paqartë, ajo do të kontribuojë në rënien e mëtejshme të mbështetjes për BE-në dhe do të bllokojë më tej forcat vërtet demokratike dhe reformiste,” tha partia opozitare e Serbisë Platforma Qytetare , i cili bojkotoi zgjedhjet e së dielës.

Fjalët e tyre duhet të jenë një paralajmërim për liderët e Europës. Mundësia që BE të rrezikojë besueshmërinë e saj në Ballkanin Perëndimor është shumë e vërtetë.

Standartet e dyfishta kur bie fjala tek Ballkani do të kthehen në mënyrë të pashmangshme në një bumerang edhe për Europën. Sa herë që BE zgjedh stabilitetin mbi transformimin demokratik në Ballkanin Perëndimor, dëmton investimet e saj në rajon dhe sigurinë e vetë unionit, për të mos përmendur të ardhmen e miliona europianëve në Ballkanin Perëndimor.

Në vend që të ankohet për mungesë përparimi, ose të riciklojë qasjet e vjetra në një “strategji të re ballkanike”, ose të vërë kritere të reja për t’u anëtarësuar në BE, BE-ja duhet të rimendojë të gjithë qasjen e saj ndaj rajonit.

Udhëheqësit europianë duhet të insistojnë për standardet dhe vlerat e BE-së në çdo takim me homologët e tyre në rajon.

Kjo, sigurisht, do të kërkojë gjithashtu që të kënë më shumë aleatë poliotikë në Ballkan, në vend që ta hedhin peshën e tyre pas një partie politike ose një drejtuesi të vetëm. Mbështetja duhet të rezervohet për forcat pro-demokratike që luftojnë për të drejtat dhe liritë individuale dhe transformimin e trajektores së vendit të tyre.

BE nuk duhet të ndihmojë udhëheqësit si Vuçic të luajnë kukafshehtas me demokracinë./Politico.Eu/Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë