Rend dhe Ligj

Vettingu “lan duart” me Gjykatën e Lartë

Me vendimet e dhëna për Medi Bicin dhe Artan Brocin këtë të martë, procesi i vettingut “lau” duart me Gjykatën e Lartë, që aktualisht është jashtë funksionit. Kjo gjykatë hyri me nëntë anëtarë në total në këtë proces dhe doli prej andej me katër të tillë.

Xhezair Zaganjori, Ardian Dvorani, Medi Bici dhe Edmond Islamaj e kaluan me sukses sitën e rivlerësimit të pasurisë, profesionalizmit dhe integritetit.

Xhezair Zaganjori

Xhezair Zaganjori, njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Lartë doli para KPK-së pa avokat, por duke përfaqësuar veten në seancën dëgjimore. Pikërisht në këtë seancë, Komisioni i Vettingut foli për probleme me pasurinë e tij dhe i ngarkoi gjyqtarit barrën e provave për të vërtetuar të kundërtën. Në ditën që do të shpallej vendimi, Zaganjori nuk ishte në sallë, por siç duket kishte siguruar provat që rrëzuan pretendimet e KPK-së për pasurinë dhe u konfirmua në detyrë.

Ardian Dvorani ishte emri që shkaktoi më shumë debat. Ai e kaloi provën juridike të KPK-së, por jo atë politike. Opozita e mori si shembull tipik emrin e tij për të deklaruar se vettingu po zbatonte dy standarde të ndryshme. Në seancën dëgjimore Dvoranit i doli një problem “99 milionë” lekësh në deklarimin e llogarive bankare, që gjyqtari u mbrojt duke thënë se ishte një lapsus.

Ardian Dvorani

Opozita e cilëson të papërshtatshëm gjyqtarin edhe për të shkuarën si hetues në regjimin komunist, por edhe moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për përfundimin e mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, PD thotë se Dvorani ka fshehur pasuritë dhe në rastin e tij, KPK zbatoi një standard të ndryshëm nga rastet e mëparshme.

Gjyqtari Edmond Islamaj fitoi betejën e parë me vettingun, por jo luftën. Ndaj këtij gjyqtari do të vendosë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që do të shqyrtojë ankimimin e Komisionerit Publik që ka kërkuar rishqyrtim të thelluar të dosjes së tij.

Edmond Islamaj

Dyshimet e Komisionerit Publik, që është organi që përfaqëson publikun në procesin e vettingut, lidhen me llogaritjet e pasurive të gjyqtarit të lartë, të bashkëjetueses, udhëtimet dhe sesi e ka blerë automjetin.

Florian Ballhysa ankimoi verdiktin e KPK-së në shkallën e dytë të vettingut. Komisioneri Publik thotë se, 1.000 metra katrorë tokë në Karpen, e blerë me 137 lekë për metër katror, është marrë me vlerë më të ulët sesa çmimi i referencës.

Pika e dytë është moskontrolli i transaksioneve për blerjen e truallit nga shtetasi A.H., i cili rezulton ta ketë regjistruar pronën në shkurt të vitit 2015 dhe një muaj më pas e ka shitur te gjyqtari.

Medi Bici para KPK

I fundit ishte Medi Bici, që e kaloi testin e vettingut, por jo pa djersitur më parë. Anëtari i Gjykatës së Lartë që dilte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u detyrua që të dërgojë para trupës së rivlerësimit 11 prova, ku shpjegonte me detaje paratë e siguruara në fillim të viteve 1990 për të ndërtuar shtëpinë ku jeton edhe sot.

Edhe nga DSIK raporti për figurën e Medi Bici ishte i pastër. Nga hetimi i KPK-së nuk ka dyshime se Medi Bici ka lidhje me persona të dyshimtë dhe nuk as ka denoncime e dyshime korrupsioni për të.

Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci janë anëtarët e shkarkuar nga KPK.

Për Admir Thanzan Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme të rënda në të paktën dy nga tri kriteret e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Admir Thanza

Përveç fshehjes së dënimit në Itali dhe problemeve me pasurinë, Thanza ka rezultuar i papërshtatshëm për detyrën, pasi ka qenë nën hetim dhe ka pasur edhe kontakte me botën e krimit, por rezulton gjithashtu i dënuar me 40 ditë burg në Itali për akuzën e vjedhjes, dënim që e ka marrë gjatë kohës që ushtronte detyrën si gjyqtar në Shkodër.

Tom Ndreca rezultoi për KPK se nuk justifikon 1.3 milionë lekë nga pasuritë e tij, një shumë për të cilën Tom Ndreca ka këmbëngulur se nuk i janë llogaritur të ardhurat e tij nga viti 1980 e në vijim. Blerja e shtëpive nga gjyqtari dhe familja e tij u konsideruan të deklaruara saktë, por organet e vettingut mendojnë se harresa e djalit të gjyqtarit për të deklaruar vite më parë një automjet është fshehje.

Tom Ndreca

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kishte vendosur në pozitë të vështirë gjyqtarin, duke e deklaruar me figurë të papërshtatshme, përderisa kunati i tij është arrestuar vite më parë me një cigare hashash, por hetimet janë pushuar sepse ai rezultoi përdorues.

Gjyqtarit tjetër, Artan Zenelit vettingu i nxorri probleme me një vilë disakatëshe që ka blerë në një zonë rezidenciale tepër të njohur në Tiranë. Në kontratën e blerjes së kësaj vile, evidentohet se gjyqtari Artan Zeneli i ka paguar shumën prej 150 mijë eurosh, jo kompanisë që ka ndërtuar kompleksin, por ortakut të saj. Sipas gjyqtarit, pagesa është kryer në mirëbesim, pasi ky shtetas është miku i tij.

Artan Zeneli

Sipas gjyqtarit, për blerjen e vilës që kushton 196 mijë euro, ai kishte paguar si këst të parë 46 mijë euro dhe deri sa i ishte aprovuar kredia, i ka marrë borxh mikut të tij 150 mijë euro. Veç problemeve me pasurinë, gjyqtari rezultoi se ishte vendosur në janar të këtij viti në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, që i kishin refuzuar vizën.

Rasti i gjyqtarit Shkëlzen Selimi ishte edhe më i bujshëm. Gjyqtari kërkoi pezullimin e procesit në seancën dëgjimore me arsyetimin se i ishin shkelur të drejtat themelore të njeriut.

Shkëlzen Selimi

Ai i referohej faktit që një ditë para se të dilte para trupës së KPK-së, televizioni Top Channel transmetoi një material, ku Selimi rezultonte i lidhur grupe kriminale në Fier, që provoheshin nga një përgjim i SHISH në vitin 2011. KPK e refuzoi kërkesën e tij dhe në vendimin e dhënë e shkarkoi gjyqtarin e lartë.

Shkarkimin pati si fat edhe gjyqtari Artan Broci. Broci nuk ishte i pranishëm gjatë dhënies së vendimit. Javën e kaluar në seancën dëgjimore pati diskutime në lidhje me pasurinë e tij.

Artan Broci

KPK zbuloi se gjyqtari i lartë kishte probleme me pasuritë për mënyrën si ishte investuar për ndërtimin e një shtese të apartamentit në Tiranë. Më tej, KPK-ja hodhi dyshime për mënyrën si ishte blerë e shitur një apartament në Rrashbull. Gjithashtu zbuloi edhe dhënien me qira të një ambienti pranë Shallvareve, të ardhura këto që nuk ishin deklaruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë