Ngjarje

Antishpifja, Venecia: “Depolitizim” i AMA-s dhe kufizim të ligjit

Komisioni i Venecias ka identifikuar një sërë problematikash në paketën e ashtuquajtur “Antishpifje”. Në opinionin final, që gazeta “Si” posedon, ekspertët e Venecias vërejnë si shqetësues zgjerimin e kompetencave të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të Bordit të Ankesave, nivelin e lartë të gjobave dhe paqartësi në draft për procedurat e regjistrimit të mediave online, që siç thuhet në raport lënë shteg për abuzim.

Venecia thotë se megjithëse në ligj përcaktohet se AMA është një institucion i pavarur, ka një perceptim të gjerë publik për të kundërtën.

“Nga takimet me përfaqësues të mediave dhe të shoqatave joqeveritare është e qartë se ka një perceptim të gjerë për mungesën e pavarësisë së AMA-s. Të gjithë anëtarët e AMA-s kanë lidhje të qarta politike me anëtarë që propozohen nga shumica dhe pakica”, thuhet në raport.

Venecia propozon depolitizimin e AMA-s dhe ndryshimin e formulës së përzgjedhjes së anëtarëve të saj.

“Në Shqipëri, ku ka një mungesë të theksuar besimi tek pavarësia reale e AMA-s, zgjedhja e përfaqësuesve nga komuniteti i medias dhe shoqëria civile, jo drejtpërdrejtë të lidhur me partitë politike mund të rezultojë një hap i mirë drejt pavarësisë së këtij institucioni”, thotë raporti.

Venecia i paraprin edhe rrezikut që me këtë formulë AMA dhe Bordi i Ankesave të kapen dhe kontrollohen nga mediat e mëdha dhe rekomandon që në rastet e kandidatëve të shoqërisë civile që nuk provojnë mjaftueshëm pavarësinë e tyre nga mediat e mëdha të përjashtohen nga gara për konflikt interesi.

Në draftin aktual parashikohet që anëtarët e Bordit të Ankesave të zgjidhen sipas një rregulloreje që do të miratohet nga AMA. Duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e këtij institucioni, Venecia rekomandon që mënyra dhe rregullat e zgjedhjes së këtyre anëtarëve të parashikohen që në ligj dhe të mos i lihet në dorë AMA-s.

“Në kontektstin dhe përbërjen aktuale të AMA është e dyshimtë nëse i duhet dhënë fuqia për të përcaktuar këto rregulla. Do të ishte më e duhur që rregullat për papërputhshmërinë dhe konfliktin e interesit të parashikohen drejtpërdrejtë në ligj”, thotë Venecia.

Ekspertët e Venecias sugjerojnë gjithashtu që çdo zgjerim kompetencash për AMA-n dhe Bordin e Ankesave, siç propozohet në draftin aktual të socialistëve, duhet të shoqërohet me rishikim të modelit aktual të vetë AMA-s, ku të garantohet një trupë më e larmishme, me pavarësi të mjaftueshme nga politika dhe mediat e mëdha dhe profesionalisht e aftë për të kryer detyrat e reja që i ngarkohen”, vijohet në raport.

Venecia vëren si problematik edhe parashikimet në nenin 33 të draftit, ku u kërkohet ofruesve të shërbimeve mediatike online që të identifikojnë vetveten e deri duke bërë publike emrin e ofruesit të shërbimit të internetit, adresën e tij e të tjera informacione. Kjo praktikë, për Venecian mund të bjerë ndesh me standardet ndërkombëtare.

“Rishikim i parashikimit të deanonimizimit i të gjitha burimeve të mediave online shqiptare pasi mund të jetë në kundërshtim me standardin ndërkombëtar, që vullneti i përdoruesve të internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre normalisht duhet të respektohet. Kjo masë lidhet ngushtë me rastin nëse subjekte të ligjit janë blogerët apo mediat jo profesionale”, thotë raporti.

Venecia kërkon që fusha e zbatimit të ligjit të ngushtohet duke përjashtuar blogerët individualë, apo përdorues të rrjeteve sociale. Komisioni kërkon gjithashtu edhe rishikimin e procedurave, si për penalitetet, ashtu edhe për ankesat. Në këtë pikë rekomandohet një nivel i arsyeshëm i gjobave dhe mundësi ankimimi në gjykatë për subjektet e gjobitura, para se ta paguajnë gjobën.

Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur raportin e Venecias dhe ka kërkuar që pa humbur kohë të adresohen në Kuvend rekomandimet e Komisionit.

“Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi "Antishpifjen"!Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t'u mbrojtur nga Shpifja,si dhe detyrimin e çdo portali për t'u identifikuar si subjekt i ligjit”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë