Rend dhe Ligj

Sekuestrohen gjysmë mln euro të fshehura në një mjet në tragetin e Barit

Policia zbardhi në mbrëmje aksionin në Portin e Durrësit që përfundoi në sekuestrimin e një sasie të madhe valute në euro, gjithsej 498.850, ndërsa arrestoi drejtuesin e kamionit.

“Si rezultat i shtimit të kontrolleve, në hyrje, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë”, thotë policia.

Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.

Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në DVP Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa pakot e mbushura me euro u sekuestruan dhe në përfundim të numërimit nga grupi hetimor dhe i filmuar me kamera i gjithë procesi i numërimit  rezultoi se në to kishte 498.850 euro.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë