Kryeministri Rama ripremtoi edhe njëherë ( të hënën) publikisht se brenda qershorit qeveria e tij do të dalë me një projekt të madh që do të rimëkëmbë ekononominë dhe do të rrisë punësimin përmes investimeve publike “intensive” dhe një regjimi taksash që nxit. Ky stimul kaq i madh në pritje sa ç’premtoi zoti Rama do të kishte lënë gjurmë në debatin që duhet të shoqëronte si prolog këtë qasje të re. Por faktkeqësisht pak kush di se cilat janë gjetjet e qeverisë dhe prognoza e saj që do të na garantojë suksesin, përpara se të gjendemi përballë faktit të kryer. Meqë askush tej qeverisë nuk e di, ne ju propozojmë një dokument ekskluziv që FMN ka pëgatitur kur qeveria i kërkoi këshilla. Ky dokument ndodhet i harruar ndoshta enkas nëpër sirtarët e atyre që duhet të marrin vendime të drejta dhe ndoshta tani është koha ta rilexojmë.
Në një dokument të vetëm për përdorim zyrtar të Fondit Monetar Ndërkombëtar ( që e disponon gazeta “Si”) drejtuar qeverisë shqiptare në përgjigjje të ndihmës teknike që kjo e fundit ka kërkuar nga FMN për politikat fiskale në dimrin e 2017-ës, përshkruhet qartazi e zezë mbi të bardhë mosdakordësia e Fondit me vendimarrjen e qeverisë shqiptare për politikat fiskale që e përmbledhur në një togfjalësh të vetëm do t’i cilësonte si të çartafillosura dhe që dëmtojnë ekonominë.
“Në maj 2017, Kryeministri dhe drejtuesi i Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), përvijoi një program zgjedhor që synonte rritjen e rritjes ekonomike, duke zvogëluar papunësinë. Sipas programit, u njoftua ndjekja e një numri objektivash kryesorë ekonomikë si investme të reja kapitale në vlerë prej 2.8 miliardë eurosh; një ulje e borxhit publik nën 60 përqind të PBB-së; një rritje prej 40 për qind e pagave për punonjësit e sektorit publik; duke rritur gradualisht pagën minimale mujore nga 24,000 lekë, në 30,000 lekë; rritja ekonomike mesatarisht 4,5 për qind gjatë katër viteve të ardhshme; papunësia nën 10 për qind, duke arritur në 8.2 për qind në vitin e fundit të qeverisjes; dhe duke punuar drejt barazisë gjinore, me prezencën e grave të paktën 40 përqind në qeveri, parlament dhe institucionet kryesore shtetërore. Reforma e gjyqësorit dhe masat për të çrrënjosur informalitetin janë pjesë përbërëse e këtij programi”, citohet në dokumentin e FMN-së.
Më tej vijon dokumenti, u njoftuan masa shtesë tatimore për të përmirësuar në mënyrë efektive sistemin fiskal siç janë: propozimi i heqjes së pragut të regjistrimit të TVSH-së; disa nisma në lidhje me uljen e tatimit mi të ardhurat kapitale dhe dividentin, etj. Këto propozime kanë një gjë të përbashkët – prezantimin e mundësive të mëtejshme të arbitrazhit në nivelin e taksave duke gërryer më shumë bazën e taksave – duke dëmtuar fushatën antiinformalitet.
Nuk dihet ende reagimi i FMN-së për vendimet e befta të kryeministrit Edi Rama në lidhje me heqjen e tatim fitimit për bizneset me xhiro deri në14 milion lekë në vit dhe mundësinë e përjashtimit të tyre nga TVSH-ja, por ajo që dihet me siguri është, që në atë kohë, në dokumentin prej 84 faqesh, FMN nënvizonte se “modifikimet e fundit apo ato të planifikuara do të dobësojnë arkitekturën e TVSH-së”.
Përtej kundështimit të fortë për uljen e pragut të TVSH-së, ekspertët e FMN-së do të theksonin se “Reduktimi i shkallës së TVSH-së për akomodimin në hotel nuk do të përmbushë qëllimin e saj të deklaruar të stimulimit të kërkesës për turizëm, si dhe të krijojë presione për të zgjeruar zvogëlimin e shkallës së TVSH –së për mallrat dhe shërbimet e lidhura. As ulja apo eleminimi i parashikuar i pragut të regjistrimit të TVSH-së nuk përmbushin qëllimin e tij të deklaruar të luftimit të informalitetit.”.
Fondi do të vlerësonte se veçanërisht rimbursimet ishin një problem serioz dhe në rritje.
Sipas FMN-së, kërkesat për rimbursim janë të shpërndara në të gjithë sektorët ekonomikë, përfshirë edhe disa sektorë në të cilat rimbursimet janë të papritura. Në vitin 2017 rezultonin 13 miliard lek kërkesa për rimbursime të cilat prisnin kofirmim nga DPT si dhe 14 miliardë lek TVSH të konfirmuara nga DPT dhe të papaguara. Pra shkurt qeveria Rama në fund të 2017-ës figuronte me gati 27 miliardë lek detyrime për Rimburisimin e TVSH-së. Stoku i madh dhe në rritje i papaguar i rimbursimit sugjeron që problemi ka dy shkaqe plotësuese. Është pjesërisht e natyrës strukturore, d.m.th., që rimbursimet derivojnë nga parametrat e politikës fiskale. Pjesërisht është shkaktuar nga auditimi i dobët dhe zbatimi, jo vetëm i vetë kërkesave për rimbursim, por nga dëshira politike për të deklaruar rritje në mbledhjen e TVSH-së.
FMN sugjeronte në atë kohë se “Çështja kërkon nga autoritetet që të bëjnë një studim të hollësishëm të rimbursimeve në një afat të shkurtër.”
Adresimi i boshllëqeve të politikave në sistemin e taksës mbi të ardhurat tek biznesi
FMN shprehet në atë dokument tërësisht kundër përjashtimit nga tatimfitimi për biznesin e vogël, deri në 5 milion dhe zvogëlimin e tatimfitimit në 5 % për kompanitë me xhiro deri në 8 milionë të kryer nga qeveria shqiptare në vitin 2016.
Përtej të ardhurave të munguara në buxhetin e shtetit, FMN e vlerësonte këtë politikë si një shkelje të drejtësisë fiskale vertikale ( diferencim i thellë në fashat e ndryshme të biznesit ) por edhe të drejtesisë fiskale horizontale duke e karhasuar me nivelin e tatimit mbi tëardhurat që paguante një i punësuar me një të vetpunësuar. Normat 0%, 5% edhe 15 % krijon mundësi për evazion dhe fragmentizim të biznesit . FMN sjell në vemendje të qeverisë që normat shumë të ulta të tatim fitimit apo 0 kthehen në pengesë për rritjen e biznesit i cili tenton të mbetet i vogël ose i copëzuar vetëm me qëllim që të mos kalojë për shembull nga një fashë me 0% në një fashë me tatim 15%.
“Sistemi i thjeshtuar i taksave të biznesit, i organizuar kryesisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, (NVM) përballet me ndryshime të vazhdueshme dhe erozione të vazhdueshme të bazës tatimore”, citon FMN.
Ajo thekson se “Praktikat globale devijojnë ndjeshëm nga qasja lokale shqiptare përsa i përket taksave”.
Rregullimet e mëparshme të taksave të NVM-ve në Shqipëri, sipas Fondit, kanë injorouar disa parime drejt një regjimi tatimor të drejtë, me kosto efektive dhe me të ardhura produktive, të cilat përfshijnë:
“Mungesën e thjeshtësisë që bizneset të kuptojnë sistemin tatimor. Mungon një prag i unifikuar si për TVSH-në dhe tatimin e thejshtaur të fitimit , dhe NVM-të për qëllime fiskale duhet të konsiderohen të gjitha ndërmarrje nën këtë prag pavarësisht nga struktura e tyre ligjore” .
Duke patur parasysh këtë, misioni propozon heqjen e qarkullimit vjetor prej 8mln lekësh si prag për taksat. E vetmja linjë demarkacioni duhet të jetë pragu aktual i TVSH-së prej 5 milion lekësh. Tatimi i thjeshtuar i fitimit të NVM-ve duhet të jetë afërsisht ekuivalente me taksën që do të zbatohej nën regjimin standard mbi pragun e regjistrimit të TVSH-së në mënyrë që të dekurajojë planifikimin agresiv të taksave përmes ndarjes së të ardhurave ose raportimit më të ulët të shitjeve; pra për të evituar informalitetin . Për çdo biznes i cili realizon xhiro nën 5 milion lek duhet të jetë i përjashtaur nga TVSH dhe duhet ti nënshtrohet regjimit të një tatimi të llogaritur mbi qarkullimin prej 3%. Ky rregullim mund të gjenerojë një PBB shtesë 0.2%.
Për FMN-në, propozimet e taksave të qeverisë në atë kohë dhe të vendosura në jetë më vonë, janë ndryshime që adresojnë vetëm objektiva të ngushtë sektorialë. Kjo, mendonte FMN, mund të minojë integritetin e përgjithshëm të sistemit tatimor. Raporti evidenton sistemin e taksave dhe administratën shqiptare si një element kryesor institucional që lehtëson ose pengon formalizimin e ekonomisë.
Duke lënë mënjanë përkohësisht mungësën e konsistencës së qeverisë socialiste në politikat fiskale, pasi tanimë kjo është bërë normë e saj, në besim të mirë po presupozojmë që me propozimin e beftë të Kryeministrit Edi Rama, ai po zbaton një nga sugjerimet e FMN-së; unifikimin e pragut të TVSH-së me pragun fiskal të biznesit të vogël.
Por ndërkohë që FMN sugjeronte 5 milion si prag optimal, kryEkministri ka vendosour që ky prag mund të jetë 14 milion lekë në vit.
Na mbetet të presim nëse ministat që merren me financat dhe ekonominë, do të gjejnë arsyetimet e bazuara në përllogaritje përse pragu i TVSH -së dhe pragu fiskal i biznesit të vogël duhet të jetë 14 milionë lekë.
Ndërkohë që për këdo që ka sikur edhe një formim të përciptë mbi ekonominë, që ka qënë në posedim të këtij raporti dhe e lexon atë më kujdes, kupton që përjashtimi nga tatim fitimi i 97% të bizneseve që operojnë në Shqipëri, është vetëm “një kazmë shkatërruese mbi sistemin fiskal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




