Balerinat e Teatrit të Operës dhe Baletit i janë përgjigjur nëpërmjet artit plagës më të thellë të shoqërisë sonë, dhunës. Shoqëria shqiptare vijon të lëngojë nga dhuna e çdo forme, si psikologjike, seksuale a fizike, ndaj vajzave e grave. E pikërisht për këtë kauzë, balerinat u bënë bashkë dhe erdhën mbrëmë me performancat e tyre duke përcjellë mesazhe për shoqërinë tonë.
“Reago, denonco dhunën, mbro jetën”, shprehet TOB.
Performanca e artistëve të TOB u shfaq në faqen “Facebook” të institucionit.
Institucioni shkruan se secili zgjedh mënyrën personale për t’u shprehur ndaj fenomeneve të caktuar socialë që kërcënojnë shëndetin shoqëror të një komuniteti a shoqërie, sidomos në rastet e shoqërive vulnerabël e të ekspozuara ndaj çdo lloj presioni, shantazhi a krimi.
“Nëse përdhunon një vajzë a një grua, nuk ke treguar burrërinë, por dështimin si burrë, paaftësinë për të bërë për vete një qenie të ngjashme me atë që të lindi, apo me atë, me të cilën ti mund të kesh lindur fëmijë a një ditë do të duash të bësh. Bëj një hap prapa: Fëmija i ardhur në jetë nga një përdhunues e dhunues, ka më shumë gjasa ta përsërisë historinë nesër”, thotë teatri.
Performanca kundër dhunës ndaj gruas erdhi nga balerinat e trupës së baletit dhe krijimtaria u punua nga vetë balerinat në shtëpitë e tyre. Kjo performancë ishte pjesë e aktivitetit të radhës nga Teatri i Operës dhe Baletit.
Prej disa javësh Teatri i Operës dhe Baletit po vijon me projektin “Opera me pizhama”, ku performancat e artistëve mund të ndiqen nga shtëpitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.