Keshilla

“Vajza ime stresin e pandemisë ia nxjerr vëllait të vogël. Ç’të bëj?”

Pyetje: Vajza ime 12-vjeçare gjithmonë ka qenë e sjellshme me vëllanë e saj, që është 10 vjeç. Pas një muaji izolim, ajo ka ndryshuar totalisht dhe toni i saj i zërit është i egër dhe duket sikur nuk na duron dot. Gjithnjë tallet me vëllain e saj dhe ironizon gjithçka që ne themi.
Qëndron për shumë orë me telefon në dhomën e saj dhe nuk e kam ndaluar pasi nuk dua ta privoj nga komunikimi me shokët dhe shoqet. Në përgjithësi gjatë izolimit së bashku me tim shoq jemi përpjekur të krijojmë një ambient argëtues në shtëpi, të krijojmë lojëra, të krijojmë natën e filmave në darkë më shpesh. Unë do të doja një këshillë për të folur me të për të rregulluar sjelljen e saj.

Përgjigje: Ndërsa shkruaj këtë përgjigje, shumë familje janë izoluar dhe pothuajse të gjithë kanë të tilla probleme. Fëmijët kur janë pranë njëri –tjetrit, ose kalojnë shumë kohë së bashku do të grinden. Edhe pa pandeminë motrat gjithmonë kërkojnë t’i nxisin vëllezërit të të luajnë apo të kryejnë ndonjë aktivitet. Fëmijët përjetojnë shumë zhgënjime në përditshmëri, që mund të vijnë nga situata që i rrethojnë.
Për sa i përket vajzës tuaj 12-vjeçare, ne e dimë që ajo është në një moshë kur mund të përjetojë një turbullirë hormonale dhe emocionale. Ajo tashmë është në fazën e adoleshencës dhe ata mendojnë se dinë gjithçka më së miri. Ju sugjeroj që gjatë kësaj periudhe të lexoni libra që flasin mbi pubertetin. Ndërsa, për marrëdhënien me vëllai e saj, mendoj se dominimi nuk është një zgjidhje. Nëse ju shikoni se vajza juaj po sillet keq me vëllain e saj, atëherë ndërhyni duke i folur dhe duke e vendosur atë në të njëjtin pozicion e me vëllain e saj. Ajo duhet t’i kuptojë gabimet që bën, kur t’i ndjejë mbi veten.
Gjithashtu, nëse një 12-vjeçare shpesh është e lidhur me bashkëmoshatarët e saj, marrja e telefonit është një akt lufte. Mos bëni ligjërata të mëdha,,thjesht jepini shembuj që ajo të kuptojë se çfarë do t’i bëjë mirë personalitetit të saj. Ajo mund të jetë e stresuar edhe për shkak të pandemisë kështu që mos harroni t’i përsërisni asaj faktin se gjithçka do të bëhet mirë.
*Meghan Leahy punon prej kohësh, si trajnere e certifikuar për sjelljen e prindërve me fëmijët dhe është nëna e tre vajzave.
Nëse keni pyetje, kontaktoni në [email protected]
Burimi: The Washington Post/ Përktheu Gazeta “Si”

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë